Kuvendi i Bullgarisë, Foto: Ueb-faqja zyrtare

Parlamenti bullgar voton për të zhbllokuar bisedimet e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE 

Parlamenti i Bullgarisë i dha të premten dritën jeshile qeverisë së këtij vendi, për të miratuar kuadrin negociues për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. 

Një ditë pasi blloku u dha statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, votimi në parlamentin bullgar shënon një tjetër hap drejt zgjerimit të BE-së, duke hequr një veto që ishte vendosur në vitin 2020 për shkak të mosmarrëveshjeve rreth historisë dhe gjuhës. 

Ligjvënësit votuan për të lejuar qeverinë të heqë veton e saj pas ndryshimeve në tekstin e kuadrit te negociatave që do të garantojë të drejtat e bullgarëve në vend nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe do të nxiste përkushtimin e Shkupit për të ruajtur marrëdhënie të mira me Bullgarinë. 

Sipas ligjvënësve kuadri gjithashtu nuk duhet të ketë ndonjë referencë që mund të sugjerojë se Bullgaria njeh gjuhën maqedonase. 

Kompromisi u propozua nga Franca, e cila mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. 

“Kjo është oferta më e mirë që Bullgaria ka marrë deri më tani. Ajo ofron garanci evropiane se interesat bullgare do të mbrohen”, tha Elisaveta Belobradova, një ligjvënëse partisë Bullgaria Demokratike. 

Kryeministri Kiril Petkov e cilësoi “vendim historik” votimin në parlamentin bullgar, duke theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor është interes strategjik i Bashkimit Evropian. 

Qëndrimi i BE-së ndaj zgjerimit në lindje ka ndryshuar që nga agresioni rus në Ukrainë, pas vitesh refuzimi për zgjerim me anëtarë të rinj. 

Aleatët e Bullgarisë në BE dhe NATO kanë bërë trysni për një zgjidhje që do të përforcojë ardhmërinë evropiane të Shkupit dhe do të kufizojë ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. 

Megjithatë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cilëosi të enjten propozimet franceze “të papranueshme”. 

“Nëse arrihet një mirëkuptim për qëndrimet tona gjatë presidencës franceze, jemi të gatshëm të angazhohemi në bisedime”, shkroi ai. 

Hezitimi i BE-së për zgjerimin ka ngadalësuar përparimin drejt anëtarësimit për një grup vendesh të Ballkanit – Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbis, duke nxitur zhgënjim mes tyre në lidhje me shpresat për t’u bashkuar me bllokun. 

Qeveria e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, u rrëzua të mërkurën, pasi koalicioni i tij i brishtë humbi shumicën edhe për shkak të akuzave se ai po shpërfillte interesat kombëtare duke nxitur heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. 

Shqipëria përgëzon Bullgarinë. 

“Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit”, shkroi presidenti shqiptar Ilir Meta pak pas votimit ne parlamentin bullgar. “Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende”, shkroi ai. 

Kryeministri Edi Rama tha ndërkaq se partia e ish kryeministrit bullgar, Boyko Borissov “shpëtoi fytyrën” e Bullgarisë dhe BE-së”. 

“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoj sa duhet për mendimin e tij të mirë të më telefonojë, por mund ta falënderoj për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, udhëheqës i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët, shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt”, shkroi kryeministri Rama. 

Një ditë më parë, ai kritikoi ashpër Bashkimin Evropian dhe Bullgarinë, duke theksuar se “një vend i NATO-s merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë, dhe po ashtu nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku”. 

Vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut e kishte bllokuar procesin e anëtarësimit edhe për Shqipërinë. 

*Pjesë të këtij artikulli u morën nga agjencia e lajmeve Reuters /VOA