Lirohet nga Paraburgimi Mërgimtari që Kërkoi Pasaportën

Pasi Gjykata e Apelit ktheu në rivendosje vendimin e gjyqtares Naime Krasniqi-Jashanica për paraburgimin e mërgimtarit të dënuar Xhemajl Imeri, atij i është ndërprerë kjo masë.

Masa e paraburgimit Imerit i është zëvendësuar me dorëzani prej 5 mijë e 400 eurosh të shqiptuar nga e njëjta gjyqtare.

Tomë Gashi, avokati i Imerit tha se klienti i tij tashmë ndodhet në Gjermani.

Në mars të këtij viti Imeri u dënua me 9 muaj burg dhe i ishte konfiskuar pasaporta për lëndim të rëndë trupor të Hajdin Sylajt në vitin 2008.

Prokuroria aktakuzën ndaj tij e kishte ngritur në vitin 2009, por edhe pse ishin caktuar disa seanca në vitet 2012, 2013 ai nuk ishte paraqitur në gjykatë, ngase ishte në arrati.

Në vitin 2014 Gjykata në Prishtinë lëshoi fletarrestim ndaj Xhemajl Imerit, por prania e tij në seanca u sigurua vetëm kur ai u ndalua në vitin 2016 nga policia e Stacionit Policor në Aeroportin e Prishtinës.

Pasaporta Imerit i ishte konfiskuar pa aktvendim nga gjyqtarja Krasniqi-Jashanica, por vetëm duke u evidentuar në procesverbal.

Kur Tomë Gashi avokati i Imerit kërkoi kthimin e pasaportës gjermane të klientit të tij, gjyqtarja Krasniqi-Jashanica caktoi masën e paraburgimit për Imerin me arsyetimin se po të ndodhej në liri ai do të ikte.

Gashi thotë se pasaporta Imerit iu konfiskua në mënyrë private, pa ndonjë vendim.

“Seanca kryesore gjyqësore është caktuar me 16 mars të këtij viti dhe vendimi është marrë me 17 mars të këtij viti. Meqenëse gjykimi ka përfunduar, ai ka kërkuar pasaportën e tij, ka qenë diçka e pakuptimtë që pasaporta i është ndalë krejtësisht në mënyrë private,” tha Gashi.

Ai paraburgimin e Imerit për shkak të pasaportës, 7 ditë pas dënimit të tij, e jo menjëherë pas përfundimit të seancës ku u dënua, e konsideron skandal.

“Unë kam bërë një shkresë për gjyqtaren që pasaporta ose të kthehet, ose të nxirret një vendim për ndalimin e pasaportës së tij kundër të cilës ai ka të drejtë ankese. Gjyqtarja e nxjerr një vendim të nesërmen dhe ia cakton paraburgimin shtatë ditë pasi ka përfunduar shqyrtimi kryesor. Është tepër skandaloze,” tha Gashi.

Sipas Gashit paraburgimi i caktuar në këtë mënyrë mund të jetë vepër penale.

“Është ditë haptas se paraburgimi është ndoshta edhe keqpërdorim i pozitës zyrtare së gjyqtares. Nëse prokurorët gjejnë që mund të këtë keqpërdorime të pozitës zyrtare, atëherë besoj se kjo lëndë të shndërrohet në lëndë penale kundër gjyqtares,” tha Gashi.

Ai planifikon që pretendimet për keqpërdorim detyre të gjyqtares t’i dërgojë në prokurori, ndërsa thotë se me këtë rast duhet të merret Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

KALLXO.com raportoi edhe më parë për këtë rast.

http://kallxo.com/mergimtari-shkon-ne-burg-pasi-kerkoi-pasaporten/