Frashër Krasniqi.

Lirohet nga Arresti Deputeti Frashër Krasniqi

Gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për të caktuar masën e paraburgimit ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëevendosje, Frashër Krasniqi.

Lajmin e ka bërë publik avokati i deputetit Krasniqi Tomë Gashi përmes një postimi në “Facebook”.

Sipas avokatit, Frashër Krasniqit i është caktuar masa e ndalimit të afrimit fizik te kolegu i tij, deputeti Milaim Zeka, në distancë prej 5 metrash në Kuvend dhe jashtë Kuvendit në distancë prej 100 metrash.

“Frashëri është liruar nga masa e arrestit të caktuar dy ditë më parë“, ka shkruar avokati Tomë Gashi.

Më tej avokati tregon se prokurori i çështjes ka nxjerrë vendim për zhvillim të hetimeve për Frashër Krasniqin për lëndim të lehtë trupor të shkaktuar në incidentin në debatin televiziv ndaj deputetit Milaim Zeka.

Por, prokurori i shtetit po ashtu ka nxjerrë vendim për zhvillim të hetimeve kundër Milaim Zekës për veprën penale të kanosjes ndaj deputetit Frashër Krasniqi, ka treguar avokati Gashi.

Kanosjen ndaj Frashërit sipas prokurorit e ka kryer deputeti Zeka në po të njëjtin emision.

“Kështu që të dy deputetët janë në hetim për incidentin ku edhe njëri edhe tjetri janë edhe të dyshuar edhe të demtuar në raport me njëri tjetrin”, ka shkruar Tomë Gashi.

KALLXO.com raportoi dje se Frashër Krasniqi po dyshohet për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.

Krasniqi e Zeka u përleshën të premten në studion e Klan Kosovës gjatë një debati televiziv të përcjellë me polemika e fyerje të ndërsjella.

Për këtë incident, Krasniqi ka shprehur keqardhje.