Kuvendi Miratoi Rezolutën për Veprimtarët e Vrarë të LDK-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan një rezolutë të propozuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së me të cilën dënoi “gjuhën fyese dhe të urrejtjes” të përdorur nga një përfaqësues i OVL UÇK për vrasjet politike të veprimtarëve të LDK-së.

Propozimi për këtë rezolutë erdhi pas një debati që u ringjall ditëve të fundit kur një përfaqësues i veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj, minimizoi vrasjet e veprimtarëve të LDK-së në periudhën e pasluftës.

“Punë e madhe që janë vra”, kishte thënë Nasim Haradinaj gjatë një debati televiziv.

Propozimi i LDK-së u mbështet nga 68 deputetë, një ishte kudnër ndërsa 10 të tjerë abstenuan.

Më anë të kësaj rezolute, Kuvendi dënoi gjuhën fyese të përdorur nga përfaqësuesi i OVLUÇK për të vrarët politikë të LDK-së pas lufte.

“Kërkojmë që këto krime të zbardhen ngase vetëm me zbardhjen e tyre, Kosova bëhet vend ku sundon ligji”, tha më herët shefi i grupit Parlamnentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Me këtë rezolutë, Kuvendi kërkoi nga institucionet e drejtësisë që “urgjentisht të ndërmerren të gjitha masat adekuate që rastet e vrasjeve politike të veprimtarëve politikë të LDK-së të trajtohen me seriozitet, profesionalizëm, paanshmëri dhe të marrin dënimin e merituar”.