Kushëriri i Presidentit Deklarohet i Pafajshëm

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot u zhvillua seanca fillestare kundër shtatë personave, pesë nga të cilët në kohën për të cilën akuzohen ishin zyrtarë të KEK-ut, ndërsa dy të tjerë ishin pjesë e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Aktakuza lidhet me dhënien e një tenderi në vitin 2011 dy kompanive (SOLAR&ORTEX URO GROUP dhe Beli COM) përkundër se të akuzuarit e dinin se ato kanë paraqitur autorizime të falsifikuara dhe dokumente të tjera relevante të falsifikuara dhe se nuk i kanë plotësuar kriteret për tenderin e KEK-ut”.

Në kohën kur u dha ky tender, Njazi Thaçi që në këtë proces akuzohet për veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe lidhje të kontratës së dëmshme ishte drejtor operativ në KEK.

Pjesë e aktakuzës janë edhe zyrtarët tjerë të KEK-ut Emin Tmava, Hanefi Hajdini, Driton Pruthi e Muhamet Selmani, tash asamblist i PDK-së në Prishtinë që akuzohen për veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Për shpërdorim detyre akuzohet Hysni Hoxha, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe eksperti i këtij institucioni Azem Duraku.

Të shtatët, pas leximit të aktakuzës, u deklaruan të pafajshëm, ndërsa seanca e radhës u caktua më 29 dhjetor.

KALLXO.com e ka siguruar aktakuzën ndaj këtyre shtatë personave për këtë tender të KEK-ut. Kjo është aktakuza e katërt e ngritur ndaj ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha.

Kushëriri i Hashim Thaçit në Aktakuzën për Tenderin e KEK-ut