Ilustrim Ariu - Foto: KALLXO.com

Kundërshtohet vrasja e ariut të murrmë në Prizren

Një vendim i publikuar në media, i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, për vrasjen e ariut të murrmë në Prizren, ka nxitur reagime të shumta të organizatave për mbrotjen e kafshëve në vend dhe jo vetëm.

Qendra e Arinjve në Prishtinë është shprehur e shokuar me këtë vendim.

“Ky vendim është shokues, që në ditët e para kur ne jemi kontaktuar nga shumë persona për këtë rast, në bazë të mundësive tona jemi munduar të japim kontributin tonë. Mirëpo institucionet përgjegjëse për raste të tilla kanë përgjegjësi ligjore në menaxhimin e këtyre rasteve, dhe ne vetëm mund të japim kontributin profesional”, thuhet në postimin e tyre në Facebook.

Kjo qendër ndër të tjera ka bërë të ditur se e kanë ftuar në Kosovë një ekspert nga Kroacia për menaxhimin e rasteve të tilla.

“Me bashkëpunëtorët tanë dhe me mbulimin e shpenzimeve nga ne, kemi ftuar një ekspert nga Kroacia për menaxhimin e rasteve të tilla, sipas planit ai pritet të jetë në Kosovë javën e ardhshme dhe të gjitha institucionet e përfshira në këtë rast kanë qenë të njoftuara”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka kërkuar  qe lidhur me rastin e ariut të murrmë në Prizren të zbatohet legjislacionin për llojet e mbrojtura shtazore.

“Pas publikimit të informacionit për vendimin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës për vrasjen e Ariut të Murrmë, AMMK njofton opinionin publik që ky vendim është në kundërshtim me rekomandimet dhe qëndrimet e komisionit profesional të MMPH që ishte ngritur për vlerësimin e kësaj gjendje”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, Komisioni për vlerësimin e masave që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e banorëve dhe pasurisë së tyre të shkaktuara nga Ariu i Murrmë, ka përfunduar punën e vet lidhur me vlerësimin e situatës dhe dhënien e rekomandimeve për masat që duhet te ndërmerren lidhur me këtë rast.

“Mes tjerash është rekomanduar që të shtohen masat e sigurisë, të ndërrohet habitati i ariut, të zbatohet legjislacioni në fuqi për llojet e mbrojtura shtazore si dhe të hartohet plani i veprimit për menaxhimin e situatës. MMPH /AMMK, paralajmëron se do të merren masat ligjore për të gjitha ata që veprojnë në kundërshtim me legjislacionin për llojet e mbrojtura shtazore përfshirë edhe ngritjen e padive”, thuhet në reagimin e tyre.

Të premten, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës kishte njoftuar se ariu i vogël i murrmë i pagëzuar “Sharri” është kthyer në habitatin e vet.

“Këlyshi i vogël i llojit të ariut të murrmë i pagëzuar “Sharri”, i cili me datën 28.02.2019 ishte pranuar nga stafi i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” nga një banor i Komunës së Prizrenit, i është kthyer habitatit të tij natyrorë në territorin e Parkut aty ku edhe përket”, është bërë e ditur përmes një komunikate për media.

https://kallxo.com/organizata-four-paws-i-ben-thirrje-institucioneve-te-dorezojne-ariun-e-murrme-ne-parkun-e-arinjve/

www.kallxo.com