Konflikti për mezhdën, paraburgim ndaj shtatë personave

Shtatë persona të dyshuar për kanosje dhe sulm fizik me vendim të Gjykatës së Prizrenit të datës 16.05.2024 janë dërguar në paraburgim prej 30 ditësh.

Të njëjtit dyshohet se më datë 14.05.2024 janë përfshirë në një konflikt. Sipas dosjes së prokurorisë shkak i konfliktit mes tyre dyshohet të jetë një kontest rreth një mezhde.

Në vendimin e gjykatës për caktimin e paraburgimit thuhet se të pandehurit me inicialet B. B., B. B., B. B., dhe A. B. dyshohen se më datë 14.052024 rreth orës 17:30 në Prizren, saktësisht në rr. “Selajdin Berisha”, për shkak të konfliktit për një mezhdë kanosin dhe sulmojnë të pandehurit S. SH. V. SH dhe J. SH.

Në dosje përshkruhet se katër të pandehurit e parë fillimisht, marrin vrull, bërtasin, ofendojnë dhe ju drejtohen të pandehurve me fjalët “Ka me ju vra”.

Po ashtu, në të njëjtën kohë dhe vend të pandehurit tjerë, S. SH. V. SH dhe J. SH., kanosin dhe sulmojnë të pandehurit B. B., B. B., B. B., dhe A. B., me fjalët “Këtu është rruga jonë, s`mund na ndalni, kena me ju kallë”.

Siç përshkruhet në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të pandehurve të gjitha këto veprime kërcënuese dhe sulmuese kanë ndodhur në praninë e zyrtarëve policor.

Siç mësohet, të pandehurit e përfshirë në konflikt, banojnë në rr. “Selajdin Berisha”, dhe njëkohësisht sipas dosjes së Gjykatës vijnë nga i njëjti fshat (Jeshkovë).

Avokati njërit prej të të dyshuarve të përfshirë në konflikt në këtë rast, Egzon Qovanaj ka deklaruar për KALLXO.com se caktimi i paraburgimit ndaj klientit të tij është masë e rëndë duke u bazuar sipas tij në dënueshmërinë e veprës për të cilën dyshohet.

“Caktimi i masës se paraburgimit është masë e rëndë duke ditur se dënueshmëria e këtyre veprave penale është deri në një vit, po ashtu edhe ne seancën dëgjimore, palët e përfshira në konflikt i kërkuan falje gjykatës dhe premtuan se veprime të tilla nuk do të ndodhin”- tha avokati Qovanaj, duke shtuar se do të ushtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit.

Në kërkesën e Prokurorit të Shtetit Labinot Jetishi, të datës 15.05.2024 është kërkuar që ndaj të pandehurve të lartcekur të caktohet masa e paraburgimit prej 1 muaji.

Kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve e ka shqyrtuar dhe aprovuar gjykatësi i procedurës paraprake Lulzim Hoxha.