Kufiri Kritik në Krizën e Kosovës

Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, një nga koalicioni qeveritar e një nga opozita, nuk presin që raporti i ekspertëve të huaj për demarkacionin me Malin e zi ta mbyllë debatin dhe kundërshtimet që e kanë përcjellë deri më tash.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani thotë se deri më tani nuk e ka të qartë se kush ka të drejtë e kush jonë këtë proces.

“Unë mendoj se që nga fillimi se nuk janë përfshirë edhe njerëzi tanë në këtë raport të cilët për vite të tëra kanë studiuar këtë fushë”, ka thënë Osmani në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Gazetarja Arbana Xharra tha se që nga fillimi procesi i demarkacionit nuk ka qenë transparent dhe se asnjëherë nuk kanë pasur dokumente, detaje se për çfarë kufij flitet, çfarë ekspertize sjellet nga dy palët.

Deputeti Ilir Deda, tha se çështja e komisionit ad-hoc është servuar vetëm në mënyrë sipërfaqësore te njerëzit.

Sipas tij, mandati i komisionit nuk ka qenë kontestimi i cili i është bërë demarkacionit tash e disa muaj.

“Nuk kanë ardhur ata me vlerësu kontestimin e opozitës dhe nuk kanë ardhur me kontestu metodologjinë dhe nuk janë marrë parasysh argumentet e ekspertëve”, ka thënë Deda.

Ai thotë se mandati i komisionit të ngritur nga Presidentja ka qenë gjysmak.

“Komisioni ad-hoc as nuk e ka pasur mandat me përfundu këtë temë por e kanë vlerësuar metodologjinë të cilën e ka përdor Murat Meha”, ka reaguar Deda.

Ai tha se nuk behën kufij me zona kadastrale dhe se këto zona janë pika e parë e shumë pikave të tjera të krizës politike në vend.

Lumir Abdixhiku, analist, thotë se demarkacioni është dashur të jetë problem teknik e jo të kalojë në politik, dhe sipas tij kjo çështje është më shumë inat se kush po fiton e kush po humb në këtë rast.

“Problemin e demarkacionit e kemi pasur mundësi të mirë të zgjidhjes së asaj problematike. Fillimi i trajtimit të këtij problemi ka qenë ndërtimi i këtij komisioni të përbashkët i të gjitha palëve”, ka thënë Abdixhiku.

Ai tha se problemi është metodologjia e cila është përdorur për përcaktimin e vijës kufitare .

Ai tha se fatkeqësia më e madhe është se gjeografët vendrë nuk janë takuar asnjëherë me një komision parlamentar për të trajtuar çështjen e kufijve.

E sa i përket protestave eventuale të partive opozitare, Deda tha se protesta do të ketë pas marrëveshjeve të liderëve të partive opozitare.

Gazetarja Xharra reagoi ku tha se nuk ka pasur sinqeritet prej partive opozitare.

Ajo thotë se nëse opozita është pajtuar me pikat për gjuajtjen e gazrave e vezëve në kuvend atëherë duhet të pajtohet edhe se mos shkuarja në kuvend është ‘arsyetim koti’.

“Nuk po shoh që ka bashkim më të madh opozita se që ka pasur në fillim. Me deklaratat që janë dhënë prej të dy palëve nuk po shoh që ka me pas qëndrueshmëri”, ka shtuar Xharra.

Panelistët në debat folën edhe për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, Hashim Thaçi, që do të zhvillohet më 8 prill në sheshin kryesor të Prishtinës.

“Edhe nëse marrë ftesë, nuk do e shoh siç nuk kanë me e pa të gjithë ata njerëz të cilët i ka ftuar z.Thaçi të cilët nuk kanë më i ardhë në inaugurim”, tha Deda.

Ndërsa ajo që i kishte lënë përshtypje Arbana Xharrës ishte inaugurimi i Presidentit në shesh. Sipas saj, do të ketë reagime edhe prej grupeve më të vogla të njerëzve të pakënaqur.

“Duke e ditë që është situatë e tensionuar, pse duhet me provoku masën. Nuk e di çka mundet me ndodhë, çfarë grupi i pakënaqur mundet me reagu, pse është dashtë me u mbajt kjo në shesh”, ka reaguar Xharra.

Sipas Osmanit momenti kur policia arrin që t’i ndalë njerëzit e pakënaqur me sjelljet e tyre, atëherë çfarë ceremonie do të ishte kjo.

Lumir Abdixhiku tha se protesta do të ketë vetëm atëherë kur  do të dihet se sa serioze është përçarja e partive opozitare.

“Z. Thaçi është faktor përçarës, roli i tij më shumë do të jetë partiak, kam vërejtje të mëdha për mënyrën mbretërore të inaugurimit të tij thuajse e kemi një punë aq të mirë sa që tani të dalim në shesh e të festojmë”, reagoi Abdixhiku.