Kryetari Ardian Gjini dhe drejtorët e rinj të Komunës së Gjakovës - Foto: Facebook

Kryetari Gjini Emëron Drejtorët e Rinj të Komunës

Kryetari i ri i Gjakovës, Ardian Gjini, ka emëruar sot drejtorët me të cilët do ta drejtojë Komunën në 4 vitet e ardhshme.

Ajo që bie në sy në është se tri drejtori do të drejtohen nga gra: Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë do ta udhëheqë Afërdita Lama, atë për Kulturë, Rini dhe Sport Saranda Hyseni, dhe Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale – Adelina Shehu-Kola.

Po ashtu, në kabinetin e kryetarit Gjini janë edhe disa ish-drejtorë të kohës kur Komunën e drejtonte ministri aktual i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Fjala është për Bernard Frrokaj, i cili do ta drejtojë Drejtorinë e Arsimit dhe Afërdita Lamën.

Po ashtu, Gjini ka emëruar drejtor edhe një ish-anëtarë të kabinetit të Mimoza Kusari-Lilës.

Fjala është për Shkumbin Kastratin, i cili do të udhëheqë me Drejtorinë për Shërbime Publike.

Kastrati, anëtar i PDK-së, ka qenë drejtor edhe në kohën kur Komunën e drejtonte Mimoza Kusari-Lila, e cila e kishte larguar nga posti pas prishjes së koalicionit me subjektin e tij.

Ndryshe, kryetari Ardian Gjini (AAK) e ka mposhtur në balotazhin e 19 nëntorit ish-kryetaren Mimoza Kusari-Lila, e cila garoi nën flamurin e partisë së kryesuar prej saj – Alternativa.

Kur ishte zgjedhur kryetare e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ishte pjesë e AKR-së.