Komuna e Gjakovës pranon të shqyrtojë kërkesat e 32 OJQ-ve për hapësirat publike dhe ndarjen e subvencioneve

Komuna e Gjakovës ka pranuar të shqyrtojë kërkesat e 32 organizatave jo-qeveritare dhe klubeve sportive të Gjakovës, kërkesa të cilat kanë të bëjnë me hapësirat publike në komunë, si dhe procedurat e ndarjes së subvencioneve.

Lajmin e ka bërë të ditur Ideal Zhaveli, udhëheqës i organizatës “Activism Roots” në Gjakovë.

Ai për KALLXO.com ka thënë se kërkesat i janë drejtuar Komunës së Gjakovës përmes një peticioni të nënshkruar nga organizatat.

Sipas tij, kërkesa e parë ka qenë që të ndryshohet rregullorja për të mundësuar transferimin e plotë të subvencionit pasi që të nënshkruhet kontrata. Për kërkesë Zhaveli ka thënë se Komuna është zotuar se klubet sportive dhe OJQ-të do të marrin pagesën përfshirë shumën në paradhënie, sipas ligjit.

Kërkesa e dytë e OJQ-ve ka qenë që të ketë rritje të buxhetit të subvencionve në Fushën e Sportit dhe Rinisë. Për këtë, Komuna e Gjakovës është zotuar se po bëhet maksimumi.

Kurse kërkesa e tretë ka qenë që të largohet taksa për hapësirat publike në komunë siç janë palestrat sportive, Pallati i Kulturës “Asim Vokshi” dhe asambleja komunale. Sipas Zhavelit, për këtë kërkesë komuna ka thënë se kjo do të përfshihet në Rregulloren për Taksa dhe Tarifa të Komunës së Gjakovës, e cila është në proces të ndryshimit dhe të plotësimit.

Ndërsa kërkesa e katërt e OJQ-ve në Gjakovë, ka qenë që thirrja publike të hapet në tre mujorin e parë të vitit kalendarik.

Për këtë, Komuna ka thënë se thirrjet hapen në fillim të çdo viti, në përjashtim të vitit të kaluar.

Zhaveli ka thënë se pret nga Komuna që të zbatojë në tërësi zotimet që i kanë dhënë.

Kujtojmë që ditë më parë Komuna e Gjakovës ka publikuar një njoftim për konsultim publik, duke i ftuar organizatat joqeveritare për takim “sot për nesër”, pasi që kanë lënë një afat shumë të shkurtë në mes të njoftimit dhe datës së mbajtjes së takimit.

Më 07.03.2024 Komuna e Gjakovës ka publikuar një njoftim në uebsajtin e tyre zyrtar, përmes të cilit kishte ftuar organizatat jo-qeveritare për konsultim publik në lidhje me grantet që do të shpërndahen.

Ftesa ishte bërë që OJQ-të të marrin pjesë në konsultim publik një ditë më pas, më 08.03.2024.

Komuna e Gjakovës fton organizatat për konsultime ‘sot për nesër’