Komuna e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Plagosja e trefishtë në Gjakovë - Zyrtari komunal në arrati, komuna ende pa vendim për të

Zyrtari i Drejtorisë së Emergjencave në Komunën e Gjakovës, Sheklzen Ahmeti ka tash e 12 ditë që po kërkohet nga organet e rendit për plagosjen e trefishtë që ndodhi në Gjakovë.

Ahmeti dyshohet se më 10.03.2024 ka kryer veprat penale të vrasjes së rëndë në tentativë si dhe armëmbajtjes pa leje.

Disa ditë më parë, më 12.03.2024, drejtori i kësaj Emergjencave në Gjakovë, Haxhi Sejdiu tha për KALLXO.com se kanë nisur procedurat për të shqyrtuar largimin e tij nga puna nëse nuk arrin që t’i arsyetojë mungesat e tij në punë.

Mirëpo, këtyre procedurave edhe pas 10 ditëve nuk iu ka ardhur ende fundi.

Kushtrim Brahimaj, menaxher i Burimeve Njerëzore në Komunën e Gjakovës ka konfirmuar për KALLXO.com se “Procedura është duke u zhvilluar ndërsa vendimi përkatës nga Komisioni Disiplinor do të merret brenda afateve të përcaktuara ligjore”.

Më herët, Ahmeti kishte pasur pozitë tjetër si zyrtar në Qendrën e Regjistrimit Civil në Gjakovë.

Gjatë kohës sa ishte zyrtar në këtë institucion, Ahmeti kishte një rast për të cilin ishte akuzuar, ndërsa në fundmi Gjykata e Apelit e ka liruar edhe nga akuza e fundit e cila rëndonte ndaj të njëjtit.

Gjykata e Apelit ka konfirmuar për KALLXO.com, se Shkelzen Ahmeti është liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Si ndodhi plagosja e trefishtë në Gjakovë?

Një mosmarrëveshje brenda një lokali që ndodhi më 10.03.2024 përfundoi me plagosjen e tre personave, të cilat u shkaktuan nga një armë zjarri.

Të plagosurit sipas policisë janë jashtë rrezikut për jetë.

Që nga ajo ditë organet e rendit janë vënë pas Shkelzen Ahmetit, i cili është identifikuar si person i dyshuar për veprën penale vrasje në tentativë.

KALLXO.com ka tentuar që të kontaktojë përmes telefonit edhe me të kërkuarin tashmë nga Policia e Kosovës, por që komunikimi me të njëjtin ka qenë i pamundur.

Lidhur me plagosjen në Gjakovë, KALLXO.com ka raportuar edhe për versionin e ngjarjes së avokates së dy personave që dyshohet se janë plagosur.

Avokatja Edona Sina në emër të dy vëllezërve, D. S. dhe J. S., ka thënë se vëllezërit janë plagosur në vendin e tyre të punës, nga i dyshuari Sh. A., i cili tha se ka shkrepur gjashtë herë në drejtim të të dëmtuarve.

“I ka shkaktuar tri plagë D. S. dhe tri plagë J. S.. Po ashtu, nga shkrepja e armës ka pësuar lëndim edhe një klient tjetër i lokalit” – tha mes tjerash avokatja.

KALLXO.com javën e kaluar raportoi edhe për dosjet penale që ka Ahmeti, për të cilat u përball me drejtësinë.

I kërkuari nën dyshimet për plagosjen në Gjakovë, zyrtar në Drejtorinë e Emergjencave

Plagosja e trefishtë në Gjakovë, avokatja e të dëmtuarve tregon versionin e tyre të ngjarjes