Mërgimtari nga Gjakova padit komunën dhe ministrinë, pretendon se objekti që iu ndërtua afër po ia cenon privatësinë

Komuna e Gjakovës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë paditur nga një familje në qytetin e Gjakovës, e cila pretendon se këto dy institucione nuk ndërmorën masa për ta rishikuar ligjshmërinë e një leje ndërmore të lëshuar nga drejtoria e Urbanizmit në komunën e Gjakovës për një objekti në rrugën “Martirët Qerkezi”.

Ali Bajraktari, i cili ka mbi 30 vite që jeton në mërgim pretendon se privatësia e familjes së tij u cenua nga ndërtimi i këtij objekti, që sipas tij është ofruar 80 centimetra në pronën e tyre.

“Ky objekt që është ndërtuar ngjitur me pronën tonë na e ka cenuar privatësinë. Pastaj mendoj se janë shkelur edhe normat e ndërtimit siç edhe shihet distanca mes objektit dhe parcelave tona është 0.80 centimetër, dhe kjo bie komplet ne kundërshtim me objekte që ndërtohen me disa kate. Tash oborri jonë nuk mundet me u shfrytëzu sepse na e ka zanë diellin dhe na i ka hap dritaret që na e cenon edhe privatësinë” – thotë Bajraktari.

Ai ka shtuar gjithashtu se që nga momenti që e ka kuptuar se ky objekt do ndërtohet tri kate dhe katin përdhese, ka bërë kërkesa të shumta ne institucione lokale e qendrore për ta rishikuar lejen e ndërtimit të këtij objekti, por askush nuk kishte reaguar ne kërkesat e tij.

“Kërkesat i kemi bërë në institucionet komunale që nga shtatori i vitit 2023, por nuk kanë reaguar. Gjithashtu tri kërkesa i kemi shkruar edhe Ministrisë se Ambientit, por as kjo e fundit nuk ka reaguar” – thekson Bajraktari.

Ai ka thanë po ashtu se ka kërkuar gjithashtu nga komuna dhe ministria që të shikohet se si ka mundësi që të shfrytëzohet komplet parcela për ndërtim, duke mos lënë as hapësirë gjelbërimi.

Ali Bajraktari, Mërgimtari nga Gjakova

Familjes Shehu nga Gjakova që është duke e ndërtuar këtë objekt, përfaqësohet nga avokati Korab Bokshi, i cili ka thanë se objekti i ka të gjitha lejet e ndërtimit e po ashtu ka edhe procesverbalet e inspektorëve komunalë për secilën pllakë që është ndërtuar objekti.

“Familja Shehu është e pajisur me leje të ndërtimit po ashtu ne shkresat e lëndës janë procesverbalet e inspektoreve të ndërtimit për secilën pllakë e qe shkruhet se është komfor normave të ndërtimit. Objekti tash është në fazën e fillimit të shfrytëzimit. Fillimisht padia ka qenë ne raport me pengim posedimin apo cenimin e te drejtës se pronësisë, por atë e ka hedhur poshtë nga Gjykata e gjithashtu Gjykata e ka hedhur edhe propozimin për masë të sigurisë sepse ka kaluar afati i ankesës” – tha Bokshi.

Lidhur me pretendimet e familjes Bajraktari se objekti i familjes Shehu i ka shkelur normat e ndërtimit, avokati i kësaj të fundit ka thanë se për aspektet teknike të lejes ndërtimore, të kontakohet Drejtoria e Urbanizmit, e cila e ka lëshuar edhe lejen e ndërtimit.

Oborri i mërgimtarit Ali Bajraktari dhe objekti i ndërtuar në afërsi

“Leja ndërtimore ka qenë publike, ka qenë edhe shpallja e publikuar në lagje aty dhe kërkesat janë parashtruar jashtë afatit prej 30 ditëve qysh parashihet me ligj. Krejt këto pretendime kanë filluar kur objekti ka qenë krejt në përfundim dhe tash objekti është në fazën e fillimit të shfrytëzimit. Familja Shehu ka aplikuar për leje ndërtimi, kanë ndjekur të gjitha rrugët ligjore për detaje tjera merrni ne drejtorinë e Urbanizmit” – tha avokati.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij materiali.

Edhe pse gjykata nuk ka vendosur masën e sigurisë dhe e ka hedhur poshtë padinë e familjes Bajraktari ndaj familjes Shehu, Ali Bajraktari ka ushtruar padi tjetër, në këtë rast ndaj Komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për neglizhencë të rastit të tij.

“Pastaj nëpërmjet një avokatit kemi kërkuar që me padi të rishikohet ligjshmëria e dhënies së lejes së ndërtimit për këtë objekt dhe jemi duke pritur çka po vendos Gjykata” – theksoi Ali Bajraktari.

Familja Bajraktari përfaqësohet nga avokati Egzon Doli i cili tha se janë në pritje që gjykata t’i thërret për seancë dhe aty pritet të trajtohet dëmi që ju ka shkaktuar klientëve të tij.

“Padia e parë ka qenë në shtator për pengim të posedimit dhe janë kanë të paditur familjarët që e kanë ndërtu objektin dhe kjo padi nuk është shqyrtuar nga Gjykata por vetëm është hedhur poshtë si e pasafatshme. Pastaj kemi paditur Komunën e Gjakovës dhe ministrinë përkatëse për konflikt administrativ dhe masë të sigurisë. Gjykata e ka refuzuar masën e sigurisë, por për padi për konflikt administrativ ende nuk është thirr seanca dhe vazhdon të mbetet aktive” – tha Doli.

Pretendimet se ndërtimi i një objekti ka tejkaluar lejen e ndërtimit dhe ka cenuar privatësinë e fqinjëve aty afër, ka hapur disa padi civile për personat e institucione shtetërore, disa janë hedhur poshtë e disa pritet të marrin epilog në Gjykatë.