Kosova me Tetë Sportistë në Olimpiadën e Rios

Komiteti Olimpik i Kosovës ka zbuluar sot emrat e 8 sportistëve kosovarë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit.

Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova nga sporti i xhudos; Musa Hajdari e Vijona Kryeziu nga sporti i atletikës; Lum Zhaveli e Rita Zeqiri nga sporti i notit; Urata Rama nga shenjëtaria si dhe Qëndrim Guri në çiklizëm do të jenë olimpistët e sivjetmë që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e para Olimpike që do të mbahen në Rio të Brazilit.

Kosova është pranuar si anëtare me të drejta të plotë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në fund të vitit 2014.

Presidenti i këtij komiteti, Besim Hasani e ka cilësuar si një hap historik shkuarjen në Rio të sportistëve kosovarë.

“Kjo është historike sepse për herë të parë Kosova në historinë e saj të re merr pjesë në Lojërat Olimpike. Prandaj është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë, një ndjenjë që mundet ta përshkruajnë vetëm qytetarët që trajtohen të barabartë me të gjithë qytetarët e vendeve të tjera. E ky emocion nuk është vetëm për sportistët edhe trajnerët, po edhe te ne drejtuesit e sportit po edhe të të gjithë qytetarëve”, tha Hasani.

kon

Sipas tij, nga 8 sportistët kosovarë që do të shkojnë në Rio, dy prej tyre, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, kanë normë olimpike ndërsa 6 të tjerët janë atje me ftesa.

Majlinda Kelmendi do ta bartë flamurin e Kosovës në parakalimin e sportistëve pjesëmarrës në ditën e hapjes së kësaj ngjarjeje.

Ndërsa shefi i misionit të Kosovës në Rio, Eugen Saraqini tha se i kanë njoftuar sportistët rreth çështjes së anti-dopingut dhe sëmundjes Zika, që sipas tij është brengosëse në Brazil.

Mirëpo Saraqini shton se të gjithë përfaqësuesit kosovarë do të paralajmërohen me saktësi me të gjitha situatat e mundshme në Braziil.

Stafi i garuesve kosovarë do të nisen për në Brazil me datën 28 Korrik.

Lojërat Olimpike fillojnë më 5 gusht dhe zgjasin deri më 21 gusht.

KALLXO.com ka realizuar portretet e pjesëmarrësve kosovarë në këto Lojëra Olimpike.

Portrete: Olimpistët Kosovarë në ‘RIO 2016’