'Një grua që bëri histori pa u ndalur'

“Një grua që bëri histori pa u ndalur”- kështu e përshkruan Federata Ndërkombëtare e Xhudos, Majlinda Kelmendin, Kampionen Olimpike nga Kosova.

Në serinë e dytë të emisioneve kushtuar legjendave, Majlinda Kelmendi ka rrëfyer karrierën e saj të pasur në një intervistë për Federatën Ndërkombëtare të Xhudos.

Teksa ka kujtuar fëmijërinë, Kelmendi ka thënë se e kishte ndjerë që në moshën 12-vjeçare se një ditë do të ishte kampione bote.

 

Ajo ka rrëfyer për hapat e saj të parë në sportin që do t’i ndryshonte jetën. Ndërsa, ka thënë se për gjithçka që është sot i falënderohet trajnerit të saj, Driton Kukës.

“Kam filluar xhudon kur isha 8 vjeç, jeta ime si fëmijë ishte e mirë, isha shumë e qetë, por kur fillova me xhudo gjithçka ndryshoi, zbulova diçka tjetër tek vetja, që isha një luftëtare e vërtetë. Prej kur isha 8-vjeçare unë asnjëherë nuk e kam ndaluar xhudon. Gjithmonë jam trajnuar në Pejë, një qytet të vogël. Unë kam pasur gjithmonë trajnerin e njëjtë Driton Kuka, trajnerin më të mirë në botë, ai nuk më ka bërë vetëm një Kampione Botërore ose Kampione Olimpike por më ka bërë një hero, veçanërisht në vendin tim, në Kosovë. Gjithçka që kam dhe gjithçka që jam, i falënderohem trajnerit”- është shprehur ajo.

Teksa ka shpalosur fotografitë nga garat e shumta gjatë karrierës, Kelmendi ka kujtuar semi – finalen në Lojërat Olimpike në Rio 2016, kur do të ndeshej me japonezen Misato Nakamura për të cilën ka thënë se në atë kohë e kishte idhull.

Majlinda Kelmendi
Kampionja Olimpike nga Kosova, Majlinda Kelmendi Foto: Federata Ndërkombëtare e Xhudos

“Isha shumë e emocionuar, po përpiqesha të pushoja, të flija, por nuk mundesha, ajo ishte përballë meje dhe ishte shumë e qetë gjë që më bënte mua edhe më shumë nervoze”- ka thënë Kelmendi teksa ka folur për problemet që kishte me dorën e majtë gjatë atyre garave.

Lojërat Olimpike në Rio 2016, Majlinda Kelmendin e shndërruan në sportisten më të suksesshme kosovare, ajo u bë atletja e parë që fiton medalje të artë për Kosovën në Lojërat Olimpike.

Kthimin në Kosovë pas kësaj ngjarje, Majlinda e ka përshkruar me emocionuese sesa vetë finalen në Rio.

Kampionia e shumëfishtë ka thënë se Medalja Olimpike dha shpresë për të gjithë në Kosovë.

“Kur u ktheva në Kosovë si Kampione Olimpike ishte mrekulli, e dija që kanë përgatitur diçka por nuk e dija që do të ishte një organizim aq i madh. Ata organizuan një autobus të hapur me fotografitë e mia, dhe ne shkuam rreth kryeqytetit. Të gjithë ishin jashtë, të rinjtë, të moshuarit, fëmijët, të gjithë ishin jashtë. Unë mund të shikoja lumturinë në sytë e tyre, ishte më emocionuese sesa finalja. Medalja Olimpike dha shpresë për të gjithë, edhe pse jetojmë në Kosovë, në një vend të vogël me shumë probleme pas luftës, fëmijët mund të jenë më të mirët në botë, sepse unë e bëra”- ka thënë Majlinda.

Karrierën pas kësaj fitore, ajo e ka përshkruar si periudhë me probleme shëndetësore të cilat e detyronin të largohej e t’i kthehej prapë xhudos.

“Në shtator të 2020-tes, pata një operacion në gju, ai ishte momenti kur unë isha vërtetë e thyer nga ana mentale. Nuk po e shijoja aq shumë. E shihja që nuk isha mirë, që më duhej ndihmë”- tha ajo.

Në fund të intervistës ajo ka folur edhe për jetën e saj si trajnere e xhudos, duke thënë se ajo i di të dy anët e medaljes, si është të fitosh dhe si është humbësh në këtë sport.

“Unë isha xhudistja më e mirë në botë, por do ta shohim nëse do të bëhem trajnerja më e mirë në botë”- tha Kelmendi.

Majlinda Kelmendi përfundoi karrierën prej xhudistes duke qenë flamurmbajtësja e ekipit olimpik të Kosovës për të dytën herë, në pjesëmarrjen e dytë të Kosovës në lojëra Olimpike.

Së bashku me trajnerin e saj, Driton Kuka, Majlinda Kelmendi në karrierën e saj ka triumfuar 22 herë në Kupa Botërore, me 10 medalje në Grand Prix, 7 në Grand Slam, 1 në Masters, dhe 4 në European Open.

Kabineti qeveritar në vitin 2021 ka marrë vendim që xhudistes Majlinda Kelmendi t’i njihet statusi i qytetares me merita të veçantë për kontributin e dhënë në promovimin e sportit të xhudos në arenën vendore dhe ndërkombëtare.

Majlinda Kelmendi vazhdon të mbajë rekordin botëror Guiness