Foto: Vjosa Osmani/Facebook

Osmani: Asnjë fitore nuk është sikurse kjo para publikut kosovar

Xhudistët nga Kosova kanë siguruar katër medalje në Kampionatin e Hapur Europian të Xhudos që është mbajtur sot në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar xhudistët për medaljet duke theksuar se asnjë fitore nuk është sikurse ajo para publikut kosovar.

Osmani ka falënderuar xhudisten Majlinda Kelmendi e trajnerët Driton dhe Agron Kuka për fitoret e xhudistëve.

“Në Kampionantin e Hapur Evropian të mbajtur në Prishtinë, Akil Gjakova shkëlqeu duke marrë të artën e Distria Krasniqi, Dardan Cena e Nora Gjakova me medalje të bronztë. Asnjë fitore nuk është sikurse kjo para publikut kosovar. Prandaj për këtë ju falënderojmë përjetësisht: Majlinda, Driton e Agron Kuka”- ka shkruar Osmani.

Akil Gjakova e ka fituar medaljen e artë duke mposhtur xhudistin nga Italia, Manuel Lombardo.

Tri medaljet e tjera, të tria të bronzta, ia kanë sjellë Kosovës, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Dardan Cena.

Në këtë Kampionat kanë marrë pjesë 40 xhudistë prej 26 shteteve të botës.

Kampionati Evropian i Hapur në xhudo ka nisur sot dhe për herë të parë organizohet në Kosovë.

Kosova me një medalje të artë dhe tri të bronzta në Kampionatin Europian të Xhudos