Korab Sejdiu (Deputet). Foto: Atdhe Mulla

Korab Sejdiu: Qeveria të Mos i Mbushë Bordet me Militantë

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, i bëri thirrje qeverisë që të mos bëjë shkarkime dhe emërime me motive politike nëpër bordet e ndërmarrjeve publike.

Reagimi i Sejdiut erdhi disa ditë pasi qeveria e Kosovës shkarkoi disa anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike.

“Të mos fillohet dhe të mos vazhdohet me praktikën e deritanishme që ta shfrytëzojmë militantizmin për mbushjen e bordeve por të fillojmë ta kthjellim administratën publike’, tha Sejdiu gjatë seancës së sotme të Kuvendit, në pikën e rendit të deklarimeve jashtë rendit të ditës.

“Kemi pasë reagim nga shoqëria se shkarkimet janë bërë në kundërshtim me ligjin. Dua ta inkurajoj qeverinë që pikësëpari ta respektojë ligjshmërinë ndërsa palët e dëmtuara i inkurajoj t’i shfrytëzojnë mjetet juridike”, shtoi Sejdiu duke i bërë thirrje qeverisë që të mos e ndjekë praktikën e deritanishme të shkarkimeve të stafit në administratën publike saherë që ndërrohen qeveritë.

“Si tek emërimet ashtu edhe te shkarkimet, duhet të kihet parasysh legjislacioni përkatës, të respektohen vendime si me emërime ashtu edhe me shkarkime”, tha Sejdiu.