Ilustrim

Konfiskohen mbi 4 Kilogramë Drogë

Njësia e Autokrimeve e Policisë së Kosovës ka konfiskuar më shumë se katër kilogramë substancë narkotike gjatë një operacioni kontrolli në tri lokacione në territorin e komunës së Graçanicës dhe të Lipjanit.

I koduar me emrin “BMW X5”, operacioni kishte të bëjë me dyshimet për vjedhje të veturave dhe falsifikim të dokumentacionit.

Operacioni policor është realizuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas një njoftimi të Policisë, gjatë kontrollit të shtëpive të të dyshuarve, në njërën nga shtëpitë janë gjetur dhe konfiskuar 4,262 kg substancë narkotike, që dyshohet të jetë marihuanë, tri palë targa dhe dy pajisje të veturave BMW, të cilat janë proceduar për verifikim.

Me këtë rast janë arrestuar tre persona të dyshuar, të tre të komunitetit serb.

Policia njofton se dy të dyshuarit e parë janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari i tretë me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.