Komuna e Mitrovicës mban punëtori për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm

Organizata e IOM dhe OSBE në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës, dhe zyrën e kryeministrit, kanë mbajtur punëtorin e tretë me radhë ku kanë diskutuar lidhur me Strategjinë Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, thuhet në një komunikatë të komunës.

Në këtë punëtori morën pjesë drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri, koordinatori i kësaj strategjie Lulzim Fushtica, përfaqësueses nga FSK-ja, nga Policia e Kosovës, përfaqësuese nga shoqëria civile, si dhe zyrtarë tjerë nga Komuna e Mitrovicës.

Të pranishmit i dhanë rëndësi të veçantë zbatimit të kësaj strategjie ku u tha se do të zhvillohen preventiva në lidhje vetëdijesimin e të rinjve së bashku me akterë tjerë të shoqërisë civile dhe me njerëzit që punojnë në arsim e edukim, si dhe me të bashkësive fetare të Kosovës.

Lulzim Fushtica, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë këtij debati ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e gatshme që t’i kryej të gjitha obligimet që u takojnë atyre në bashkëpunim me organizata joqeveritare që veprojnë në Kosovë.

Ai tha se do të punohet shumë në këtë aspekt në mënyrë që fillimisht nxënësit e Kosovës të jenë të vetëdijesuar dhe të mos bien pre e grupeve ekstremiste.

Gjithashtu këshilltari i kryeministrit Fushtica ka thënë se në përgjithësi Kosova mund të merret si shembull i mirë se si duhet qasur luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.