Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Komuna e Kamenicës reagon ndaj mbylljes se bizneseve serbe gjatë inspektimit

Komuna e Kamenicës përkatësisht Inspektorati i kësaj komune nga dje ka filluar inspektimet për largimin e produkteve me mbishkrimet që nuk i referohen Kosovës si shtet.

Në njoftimin e Komunës së Kamenicës bëhet e ditur se përveç inspektimit në disa qendra tregtare asnjë biznes i komunës nuk është mbyllur nga ana e inspektorati, që vije si reagim pasi “Inspektorati i Komunës së Kamenicës, ka mbyllur bizneset në pronësi të qytetarëve të përkatësisë etnike serbe”.

“Inspektorati i komunës, në përputhje me vendimin e qeverisë së e Republikës së Kosovës, ka inspektuar ndërmarrjet “Viva Fresh Store”, “Besa Center”, “Driloni”, “Haliti SM”, “Dafina”, “Nesa Prom” dhe “Bona Fides”. Njoftojmë opinionin publik, se asnjë biznes i komunës nuk është mbyllur nga ana e inspektoratit. Çdo pretendim tjetër është përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën, në funksion të tjetërsimit të politikave gjithëpërfshirëse zhvillimore në Kamenicë”, thuhet në këtë komunikatë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se aksioni i inspektoratit komunal për zbatimin e ligjit do të vazhdojë edhe në ndërmarrjet e tjera, pa dallime etnike.

“Në situata të përhapjes së insinuatave dhe të propagandave me motive politike, që synojnë ngritjen e tensioneve duke zgjuar dallimet etnike; informimi i saktë dhe korrekt i publikut, mbetet detyrë dhe përgjegjësi e jona e përbashkët; si institucione, media, shoqëri dhe qytetarë. Transformimi pozitiv i Kamenicës, tashmë i vlerësuar edhe ndërkombëtarisht, do të vazhdojë bashkë me qytetarët e saj. Pa përjashtim. Pandalshëm”, thuhet në njoftim.