Dy infermiere në QKMF të Kamenicës punojnë pa licencë

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Kamenicës, dy infermiere janë duke punuar pa licencë.

KALLXO.com merr vesh se njëra nga infermieret me inicialet M. P. është pjesë e stafit të QKMF-së që nga vitit 2015, ndërsa I. S. është pjesë e stafit të QKMF-së që nga vitit 2018.

Këtë informacion e ka konfirmuar edhe Komuna e Kamenicës për KALLXO.com.

Valdete Berisha Murina, zyrtare e Lartë për Raportim dhe Informim e ka konfirmuar se dy infermieret janë pjesë e stafit të QKMF-së dhe se nuk janë të licencuara.

Berisha Murina shtoi se Këshilli Drejtues në QKMF është në proces të këtij rasti.

“Lidhur me licencat e të lartcekurve, Këshilli Drejtues i QKMF-së është në proces të këtij rasti dhe pas të gjitha konsultave dhe opinioneve me organet përgjegjëse së shpejti do të nxjerr një vendim meritor konform ligjeve dhe rregulloreve në fuqi” – thuhet në përgjigje të saj.

Përmes një kërkese për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka kërkuar qasje në licencat e infermiereve por që komuna ka thënë se “nuk i posedojnë ende dokumentet” që KALLXO.com ka kërkuar.

KALLXO.com ka komunikuar edhe me kryeshefin e QKMF-së Latif Sylaj.

Ai tha për KALLXO.com se këtë problem e kanë trashëguar dhe se janë duke i filluar rrugët ligjore pa dhënë detaje të tjera me arsyetimin se është në pushim mjekësor.

“Ne jemi në procedurë, ne i kemi trashëguar ato…. Ne i kemi fillu rrugët ligjore që janë të nevojshme që na takojnë neve si QKMF pastaj tutje shkojmë hap pas hapi” – shtoi ai.

Ndërkaq, Oda e Infermierëve të Kosovës pas interesimit të KALLXO.com ka thënë se asnjë infermier nuk lejohet të punojë pa licencë në institucionet publike e private.

“Nuk lejohet askush të punojë pa licencë”- thuhet në përgjigjet e OIK.

Ndërkaq, pyetjen se sa infermierë punojnë pa licenca në institucione, thuhet se nuk kanë të dhëna. Sipas OIK të dhëna kanë vetëm për infermierët e licencuar.

Në uebfaqen e OIK, janë të publikuara të gjitha të dhënat që nevojiten për licencim.