Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Auditori: Komuna e Kamenicës angazhoi staf të ri për të kryer punë që duhej të kryheshin nga stafi i rregullt

Në raportin e vitit 2022 për Komunën e Kamenicës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se kjo Komunë kishte angazhuar staf për punë dhe detyra që duhet të kryhen nga stafi i rregullt i Komunës.

Raporti i ZKA-së thotë se Komuna e Kamenicës kishte lidhur 30 kontrata për punë dhe detyra specifike përmes procedurave të thjeshtuara të rekrutimit si dhe katër kontrata sipas marrëveshjeve për shërbimeve të veçanta (MShV) përmes procedurave të prokurimit.

Ky raport tregoi se vlera e kompensimit gjatë vitit 2022 për stafin e angazhuar përmes këtyre kontratave apo marrëveshjeve ishte mbi 70 mijë euro.

ZKA ka paraqitur edhe mangësitë e evidentuara te stafi i angazhuar ku përpos angazhimit të tyre për punë dhe detyra të rregullta pune që duhet të kryhen nga stafi i rregullt i Komunës, në gjashtë raste te kontratat për punë dhe detyra specifike, kohëzgjatja ishte mbi afatin ligjor.

Kjo pasi sipas ZKA-së kontratat ishin lidhur me personat dhe për pozitat e njëjta dy apo tre herë nga 120 ditë brenda vitit 2022.

Po ashtu, ZKA ka gjetur se në një rast, kontrata për punë dhe detyra specifike ishte vazhduar për një muaj pa procedura të rekrutimit.

Gjithashtu, raporti ka treguar se në një rast tjetër, stafi i angazhuar përmes MShV-së, në procedurën e prokurimit ka shfrytëzuar një referencë pune të lëshuar nga udhëheqësi i Zyrës së Prokurimit të Komunës, ngase ishte i angazhuar në Komunë që nga viti 2018 deri në shkurt 2022.

ZKA ka treguar se sipas zyrtarëve komunalë, kjo gjendje ishte për shkak të mungesës së vendeve të lira për rekrutimin e stafit të rregullt si dhe vështirësive në lidhje me numrin e vogël të aplikuesve gjatë konkurseve për pozita të rregullta, ngase për pozita të caktuara kishte numër të pamjaftueshëm apo nuk kishte fare të interesuar.

Sipas ZKA, angazhimi i stafit sipas marrëveshjeve për shërbimeve të veçanta apo kontratave për punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta, mund të rrisë kostot e Komunës krahasuar me kostot e rekrutimit të stafit të rregullt si dhe mund të rezultojë se angazhohet staf jopërkatës, duke ndikuar në arritjen e objektivave të Komunës.

ZKA ka rekomanduar që kryetari duhet të sigurojë se për pozita të rregullta të punës angazhohet staf i rregullt përmes procedurave të rekrutimit dhe se procedurat e prokurimit për angazhimin e stafit për shërbime të veçanta si dhe kontratat për punë dhe detyra specifike, aplikohen vetëm për pozita specifike dhe të veçanta të cilat nuk mund të mbulohen nga stafi i brendshëm i Komunës.

Përderisa, përgjigjja e Komunës ka qenë se pajtohen me këtë gjetje.

Raporti i Zyrës së Auditimit për Komunën e Kamenicës ka rezultuar me 6 rekomandime, prej tyre 4 janë rekomandime të reja si dhe 2 të përsëritura.