ATK gjobit me 41 mijë euro klubet e natës për moslëshim të kuponëve fiskalë

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se gjatë fundjavës ka bërë inspektime në klubet e natës, bare dhe restorante në disa qytete të Kosovës.

ATK ka njoftuar se këto inspektime janë bërë në përpjekje për të siguruar që këto biznese janë duke respektuar thirrjet ligjore për lëshim të kuponëve fiskal.

Sipas njoftimit të ATK-së, në disa raste, klubet e natës, baret dhe restorantet nuk kanë respektuar rregullat tatimore dhe me këtë rast janë lëshuar 163 gjoba në vlerë 41 mijë euro.

“Si rezultat i këtyre aktiviteteve janë vizituar 12 subjekte biznesore, tek të cilat është konstatuar se nuk kanë lëshuar kuponë fiskal pas shërbimeve të ofruara. Me këtë rast, janë lëshuar 163 gjoba në vlerë 41 mijë euro, për të cilat do të iniciohen raste penale” – thuhet në njoftim.

Gjatë inspektimeve janë evidentuar edhe 77 punëtorë të paregjistruar, si dhe janë konfiskuar 7 printerë jo-fiskalë.

ATK ka rikujtuar të gjithë tatimpaguesit se shkeljet të tilla ligjore, ndikojnë rëndë në rritjen e ekonomisë jo-formale në treg, e cila sipas tyre, më pas krijon pabarazi dhe konkurrencë jo të drejtë.

“Të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor aty ku nuk kërkohet të lëshohet faturë tatimore, janë të obliguar që të pajisen me pajisje elektronike fiskale (PEF) / sistem fiskal (SF) dhe të lëshojnë kuponë fiskal” – vazhdon njoftimi.