Komuna dhe Ministria 'Ping-Pong' me Lejen e Ndërtimit

Investitori nga Ferizaj, Ismet Kamenica, është në telashe të mëdha. Më 22 korrik të vitit të kaluar, Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Ferizajt i ka lëshuar leje për ndërtimin e një objekti banesor.

Mirëpo, afërsisht një muaj e gjysmë më vonë, kur ai kishte arritur deri në katin e gjashtë të ndërtimit të objektit, Drejtoria e Urbanizmit ia ka pezulluar lejen.

“Qysh prej datës 3 shtator 2015 na ka ardhur një pezullim  prej Kuvendit Komunal dhe Drejtorisë së Urbanizmit, të cilët me kërkesën e Ministrisë thonë që na kanë pezullua lejen. Ne lejen e kemi marrë në muajin korrik dhe kemi vazhduar me punime dhe kemi arritur deri në këtë pikë dhe më nuk merret askush me neve”, tha Kamenica.

Kamenica fajtor për këtë situatë e mban Komunën e Ferizajt, më saktësisht Drejtorinë e Urbanizmit. “Drejtoria e Urbanizmit thirret që fajtor është Ministria dhe asgjë më shumë ndërsa dëmi është mjaft i madh dhe gati i pariparueshëm në këtë moment kur po flasim sepse ne i kemi shitur 16 banesa kur kemi qenë duke punuar dhe njerëzit i kërkojnë banesat dhe s’po dimë se çfarë t’u themi dhe askush nuk merret seriozisht me këtë punë”, thotë ai.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në Ferizaj, Faik Grainca, thotë se Ismet Kamenica është viktimë e një vendimi të Ministrisë së Mjedisit.

“Pezullimi i lejes që është objekt i bisedës tonë është bërë me urdhrin e inspeksionit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, për arsye se janë pezulluar planet urbanistike, janë kthyer në rishqyrtim dhe derisa të rishqyrtohen ato plane urbanistike thotë të pezullohet edhe leja”, thekson Grainca.

Megjithëse ia ka pezulluar lejen Ismet Kamenicës, drejtori Grainca thotë se e drejta në këtë rast është në anën e investitorit.

“Në bazë të lejes që unë e kam dhënë personi nuk e ka asnjë pengesë për të ndërtuar. Por kur ka ardhur vendimi i Ministrisë për pezullim ai ka qenë në katin e katërt apo pestë dhe unë e kam udhëzuar palën që të shkojë në kontest gjyqësor sepse e gjithë e drejta është në anën e tij, por kjo është gjendja pa dëshirën dhe pa vullnetin e Drejtorisë ka ardhur deri tek pezullimi i lejes, është i përkohshëm dhe ne jemi në procedurën e rishqyrtimit të këtyre planeve urbanistike dhe nëse ato aprovohen sikur në shkurt ne duhet të pezullojmë ndërtimin”, tha Grainca.

Grainca thotë se vendimi i Ministrisë së Ambientit për pezullimin e lejes së Ismet Kamenicës megjithëse nuk ka qenë i drejtë, ata e kanë respektuar dhe zbatuar dhe nuk e kanë çuar në gjykatë këtë vendim.

Lidhur me arsyen e pezullimit të lejes së ndërtuesit, KALLXO.com i ka shkruar edhe Ministrisë së Mjedisit, por nuk ka pranuar përgjigje.

E nga krejt kjo rrëmujë juridike, pasojat po i vuan Ismet Kamenica. Vlera e dëmit që i është shkaktuar po rritet vazhdimisht. Për këtë arsye, ai i është drejtuar edhe gjykatës.

“Ne e kemi bërë një padi qysh 10 ditë pasi na u kanë pezullua punimet në gjykatë dhe I kemi mbajtur katër seanca dhe është pezulluar lënda deri sa ta merr Komuna një vendim ose ta marrë lejen ose të lëshojë punimet sepse dëmi është duke u rritur dhe sipas gjyqtarit nuk mund të merret një vendim në këtë fazë sepse vazhdimisht po shkon duke u rrit dëmi”, tha Kamenica.

Në këtë situatë, Komuna e Ferizajt krejt çka mund t’i ofrojë Ismet Kamenicës është keqardhja.

“Mua më vjen keq që pala që e ka pasur lejen de facto është viktimë. Nuk është dashur në asnjë mënyrë që t’i pezullohet leja, për arsye se është në periudhën kur ato leje urbanistike kanë qenë në fuqi”, tha Faik Grainca.