Komisioni për Buxhet dhe Financa - Foto: KALLXO.com

Komisioni-Trustit: Zvogëloni Pagat për 25 Për Qind

Pagat në Fondin e Kursimeve Pensionale (FKP) pritet të tkurren për 25 për qind.

Grupi punues i Komisionit për Buxhet dhe Financa që është ngarkuar lidhur me shqyrtimin e mundësisë së korrigjimeve të pagave të Fondit të Kursimeve Pensionale ka marrë si shembull nivelin e pagave për të punësuarit në Bankën Qendrore të Kosovës.

Anëtari i komisioni Naser Osmani tha se jemi përqendruar për pozitat që kanë të bëjnë me menaxhmentin e lartë, menaxhmentin profesional dhe me drejtorët.

Sipas Osmanit, janë shikuar edhe pagat dhe shpenzimet e bordit të drejtor]ëve.

Osmani tregoi nivelin e pagave të BQK-së.

“Banka Qendrore na ka dërguar nivelin e pagave të të punësuarve sipas kërkesës sonë për këto tri kategori: paga e guvernatorit është 4 mijë e 140 euro dhe paga e zyrtarit të lartë është 1 mijë e 75 euro. Me të tjerët nuk jemi marrë meqenëse të tjerët janë me pagën më të vogël se 1 mijë euro”, tha Osmani

Tutje Osmani përmendi se edhe Banka Qendrore edhe Fondi i Kursimeve Pensionale, të punësuarit nuk i konsiderojnë shërbyes civilë meqenëse e kanë të rregulluar ndryshe çështjen e tyre.

Osmani tregoi edhe pagat e zyrtarëve të Fondit të Kursimeve Pensionale që më parë quhej Trusti Pensional.

“Paga e drejtorit në Trustin Pensional është 4 mijë e 980 euro dhe paga më e vogël e menaxhmentit që i quajnë profesionalë, është zyrtar për marrëdhënie me publikun 1 mijë e 150 euro. d.m.th në mes të dy këtyre kategorive pastaj janë pozitat tjera që sillen rreth të gjitha mbi 2 mijë, 1 mijë”, tha Osmani.

Ai tregoi se Komisioni për Buxhet dhe Financa ka dhënë rekomandime për pagat e zyrtarëve të Fondit të Kursimeve Pensionale, duke marrë parasysh edhe shpenzimet që ata kanë.

“Ne i rekomandojmë bordit që të zvogëlohet paga për 25 për qind të të gjitha pozitave e menaxhmentit të lartë stafin profesional dhe drejtorëve, të hiqen shtesat e anëtarëve të bordit, për pjesëmarrje në mbledhje, heqjen e kontributeve vullnetare të bordit drejtues për 5 për qind”, tha Osmani.

Ai tregoi se komisioni këto rekomandime do t’ia dorëzojë Fondit të Kursimeve Pensionale dhe nëse ky fond nuk i merr parasysh, Osmani tha se do të veprohet nëpërmjet Kuvendit.

“Në qoftë se nuk e merr në konsideratë propozimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa, atëherë ne do ta korrigjojmë taksën për Trustin Pensional dhe një gjë të tillë duhet ta aprovojë Kuvendi. Pastaj Komisioni do t’i rekomandojë Kuvendit aprovimin e një takse tjetër që do ta bënte zbritjen për këtë shumë të cilën e kemi konsideruar”, shpjegoi Osmani.

Pastaj anëtarët e komisionit e miratuan në mënyrë unanime rekomandimin për zvogëlim të pagave të zyrtarëve të lartë të Fondit të Kursimeve Pensionale.