Ministri Murati: Sot janë proceduar me rritje pagat e muajit janar për sektorin publik

Sot janë proceduar pagat e punonjësve të sektorit publik që me ligjin e buxhetit për vitin 2024 do kenë koeficient në vlerë 110 euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një shkrimi bëri të ditur se kjo e bën pagën mesatare bruto 780 euro në muaj në sektorin publik.

“Sot janë proceduar me rritje pagat e muajit janar për sektorin publik, me koeficientin e ri prej 110 euro, të përcaktuar me Ligjin e Buxhetit për vitin 2024”-shkroi Murati.

Tutje, ministri theksoi se buxheti për paga në vitin 2023 ishte për 17% më i lartë sesa viti paraprak.

“Kurse sivjet shtohen edhe 5% tjera, duke u siguruar kështu që rritja në vazhdimësi të tejkalojë normën e inflacion, që për vitin 2022 ishte 11.6% ndërsa për vitin 2023 ishte 4.9%” – shtoi më tej Murati.

Në tetor 2023 Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në vlerë 3.3 miliardë euro.

Duke folur gjatë një mbledhjeje të Qeverisë për buxhetin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se për sektorin publik koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro.

“Për vitin 2024, buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro” – kishte thënë Kurti.