Donika Gërvalla FOTO-Urim Krasniqi

Kjo është pasuria e kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) Donika Gërvalla- Schwarz në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) ka deklaruar se ka 13 mijë e 598 euro para të gatshme në dy banka në Gjermani.

Pasuria e paluajtshme të cilën kryediplomatja Gërvalla e ka deklaruar, kap vlerën 120 mijë euro.

Ajo ka deklaruar se ka një shtëpi banimi në vlerë prej 100 mijë euro të cilën thotë se e ka trashëgimi nga prindërit.

Poashtu ka deklaruar se posedon edhe tokë pyjorë në vlerë prej 10 mijë euro, trashëgimi nga prindërit si dhe një tokë bujqësore në vlerë prej 10 mijë eurove.

Të gjitha këto pasuri të paluajtshme Gërvalla ka deklaruar se i ka përfituar në vitin 2016.

Si pasuri të luajtshme në AKK, ajo ka deklaruar vetëm një veturë në vlerë prej 10 mijë eurove të blerë në vitin 2016 nga të ardhurat personale.

Gërvalla ka deklaruar se nuk posedon aksione në shoqëri komerciale si dhe letra me vlerë.

Ndërsa të hyrat e vetme që nga marrja e mandatit, ajo i ka nga Qeveria e Kosovës me një pagë mujore 1 mijë e 228 euro.

Gërvalla nuk ka deklaruar asnjë të hyrë apo pronë të bashkëshortit të saj. Secili deklarim që ka bërë në Agjencinë Anti Korrupsion janë të personalisht të sajat.