KGjK Nuk e Pranon Dorëheqjen e Nikola Kabashiq

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk e ka pranuar kërkesën për dorëheqje të paraqitur nga kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës Nikolla Kabashiq.

Përmes një njoftimi për media, KGjK njofton se pas një takimi të mbajtur sot është vendosur që të mos pranohet kërkesa për dorëheqje dhe njëkohësisht i është bërë kërkesë për ta rishqyrtuar vendimin z. Kabashiq.

KALLXO.com raportoi ditë më parë se kryetari I Gjykatës Themelore të Mitrovicës kishte paraqitur paralajmërimin për dorëheqje më datë 14 shkurt.

Që nga paraqitja e kërkesës, Kryesuesi, Nehat Idriri  dhe KGJK, kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me kryetarin Kabašić, gjyqtarët dhe stafin mbështetës të Gjykatës Themelore të Mitrovicës me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të përshtatshme dhe që është në interes për funksionimin e Gjykatës në Mitrovicë.

Në njoftim  po ashtu bëhet e ditur se , KGJK ka pranuar me shkrim dhe në forma tjera kërkesa nga gjyqtarët, stafi mbështetës dhe partnerët e sistemit gjyqësor që theksojnë, se kërkesa për dorëheqje e kryetarit Kabašić duhet të trajtohet me kujdes dhe e njëjta të mos pranohet si e tillë.

“Angazhimi dhe rezultatet e arritura në këtë Gjykatë, sidomos pas zgjedhjes se gjyqtarit Kabashiq në pozitën e kryetarit janë për t’u vlerësuar.  Prandaj, bazuar në gjithë këtë dhe me qëllimin më të mirë që Gjykata Themelore e Mitrovicës të vazhdojë funksionimin, Këshilli nuk e aprovoi dorëheqjen e kryetarit Kabashiq, dhe kërkon nga ai që të njëjtën ta ri-shqyrtoj”, thuhet në njoftimin e KGjK-së.

Pasi i refuzoi kërkesën për pranimin e dorëheqjes, KGjK edhe njëherë i përsëriti mbështetjen për Kabashiq.

“KGJK, mbetet e përkushtuar që bashkërisht me kryetarin, gjyqtarët dhe punonjësit mbështetës të punojmë për përmirësimin e kushteve të punës dhe funksionalizimin e plotë të gjyqësorit me qëllim që të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim, t’u mundësohet qasje në drejtësi dhe sundim të rendit dhe ligjit”, thuhet në njoftimin e KGjK-së.

Krejt në fund, në njoftim thuhet se KGjK shpreson që  Kabashiq do t’i merr në konsideratë kërkesat e kolegëve, të KGJK-së, të partnerëve të gjyqësorit dhe interesin e qytetarëve.