Këta kandidatë do t’i nënshtrohen testit me shkrim për policë të Kosovës

Policia e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve që i kanë plotësuar kriteret e konkursit publik të shpallur më 16 prill 2018 deri më 10 maj 2018 për zyrtarë policorë dhe i fton të njëjtit t’i nënshtrohen testimit me shkrim, i cili do të mbahet në nivel të Drejtorive Rajonale të Policisë së Kosovës më 15 dhe 16 shtator 2018.

Përmes një komunikate, Policia e Kosovës njofton kandidatët mbi procesin dhe kriteret  e testimit që duhet t’u përmbahen.

Policia thekson se kandidatët nga lista duhet të paraqiten në vendin ku është paraparë mbajtja e testimit me shkrim 60 minuta (një orë) para fillimit të testimit.

Në ditën e mbajtjes së testimit, kandidatët duhet të kenë me vete: Numrin e aplikacionit, Letërnjoftimin dhe laps kimik me ngjyrë të kaltër.

“Kandidatët ditën e zhvillimit te testimit me shkrim nuk lejohen të përdorin pajisje të teknologjisë informative siç janë telefonat mobilë, kalkulatorë etj. Çdo tentim i përdorimit të këtyre pajisjeve dhe tentimi i kopjimit do te pasojë me diskualifikim të menjëhershëm nga procesi i testimit”, tërheq vërejtjen Policia.

Sipas Policisë, testi me shkrim përbëhet nga 100 pyetje dhe është i dizajnuar të vlerësojë kandidatin në fushën e njohurive të përgjithshme (40%), gramatikë (30% ) si dhe matematikë (30%).

Rezultati minimal i kërkuar për të kaluar testin është 70% të përgjigjeve nga testi.

Testi me shkrim zgjat 150 minuta (dy orë e tridhjetë minuta) në interval kohor.

Kandidatet të cilët e kalojnë me sukses testin me shkrim (minimumi 70%), e fitojnë të drejtën për t’iu nënshtruar testit fizik.

Policia thekson se nëse kandidati dështon në këtë fazë të testimit, ai/ajo nuk ka të drejtë të vazhdojë në fazat tjera dhe nuk i lejohet përsëritja e testit.

Të gjithë kandidatët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen në zyrat e Personelit në Drejtoritë Rajonale të Policisë.

Për çdo fazë të testimit, rezultatet do të publikohen në faqen e internetit të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe informatat për vendin, datën dhe kohën e mbajtjes së testimit me shkrim e cila tanimë është publikuar ne:  www.kosovopolice.com