Hulumtimi "Historia e Kosovës" e Shkelzen Gashit - Foto: KALLXO.com

Kërkohet Rishikimi i Teksteve Shkollore të Historisë në Ballkan

Gjatë prezantimit të hulumtimit të Shkelzen Gashit mbi historinë e Kosovës në tekstet mësimore të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, u bë thirrje për hapa konkretë në rishikimin e tyre.

Sipas raportit të publikuar nga ky autor, në tekstet shkollore të historisë së këtyre shteteve ballkanike vërehet një shpërputhje e madhe mbi historinë e Kosovës dhe shqiptarëve.

Në forumin e organizuar nga Projekti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), shumica e të pranishmëve u pajtuan se duhet të rishikohen tekstet, së paku në Kosovë.

Shkelzen Gashi kritikoi disa historianë shqiptarë si dhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për mospjesëmarrje në këtë forum.

“Atje (në MASHT), e kanë një komision që merret me rishikimin e teksteve të historisë. Ne i kemi ftuar dhe ata nuk kanë ardhur. E kemi ftuar edhe shoqatën e mësimdhënësve të historisë së Kosovës”, tha Gashi.

Këtë raport e vlerësoi si shumë të nevojshëm edhe drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj.

“Kur nuk ekziston mundësia që të debatohen tema të tilla krijohen narracione në bazë të miteve te popujt. Do të ishte mirë që të rinjtë dhe ne në përgjithësi si qytetarë të mësojmë mbi ngjarjet e asaj periudhe bazuar në fakte, jo në mite apo narracione”, tha Blakaj.

Ndërkaq, Ermal Hasimja, profesor në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, tha se interpretimi i gabuar i historisë është shumë i rrezikshëm.

“Historia nuk është si matematika, fizika apo biologjia sepse ka pasoja shumë më të rënda. Interpretimi i historisë të çon në luftë kurse interpretimi i keq i matematikës thjesht të ngel në klasë”, tha Hasimja.

Gazeta ‘Jeta në Kosovë’ ka publikuar një hulumtim mbi portretizimin e luftës së fundit në Kosovë në tekstet shkollore në Kosovë  dhe Serbi.

Historia Shkollore në Kosovë dhe Serbi ‘Mjegullon’ Vitet e 90-ta