Oborri i shkollës me dy emra, ku luajnë fëmijë shqiptarë dhe serbë | Foto: KALLXO.com

Historia Shkollore në Kosovë dhe Serbi ‘Mjegullon’ Vitet e 90-ta

Megjithëse ndajnë të njëjtin oborr dhe të njëjtën ndërtesë, dy nxënës, njëri shqiptar e tjetri serb në fshatin Binçë të Vitisë, në lindje të Kosovës, mësojnë në shkolla me emra të ndryshëm. Ata që ndjekin mësimet në shqip, shkollën e quajnë ‘Ndre Mjeda’, ndërsa për nxënësit serbë, shkolla merr emrin ‘Mladen Markoviq’.

Nën kulmin e njëjtë, historitë që ata mësojnë në libra për heronjtë dhe agresorët përkatës janë tërësisht të ndryshëm.

Këto shkolla të ciklit të ulët madje prekin vetëm një pjesë të vogël të historisë në krahasim me të rinjtë kudo nëpër Kosovë të dy etnive që lexojnë ndodhitë e para 17 viteve në spektra të ndryshëm që reflektojnë pikëpamjet e tyre në përditshmëri.

Kosova dhe fqinji i saj Serbia, e cila ka një sistem arsimor paralel në Kosovë, ende nuk kanë arritur të distancojnë narracionet e njëanshme dhe gjuhën e urrejtjes nga sistemi edukativo-arsimor.

Periudha të ndryshme historike të të dy shteteve vazhdojnë të përshkruhen njëanshmërisht dhe nën ombrellë nacionalizmi në shkencat sociale siç është historia, përkatësisht në tekste të aprovuara shkollore të kësaj fushe.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Kosovë, dy faqe të librit për nxënësit shqiptarë e përshkruajnë luftën duke dhënë numra të pasaktë dhe sqarime të mangëta të ngjarjes.

“Vetëm gjatë muajve të bombardimit të NATO-s ushtria serbe vrau 15,000 shqiptarë, mbi 3000 humbën pa gjurmë (persona të zhdukur) dhe 5000 u dërguan në serbi si pengje lufte (të arrestuar)”, thuhet në librin e historisë së klasës së 10 për gjimnazet në Kosovë.

Në të kundërt të kësaj, në librat serbë, sipas FDH, fshehet përkatësia etnike e viktimave të luftës dhe gjykimet ndaj ish-udhëheqësve shtetërorë të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë.

Viti 1999, përkatësisht fushata e bombardimeve të NATO-s në Kosovë, përshkruhet si kohë e çlirimit të vendit nga okupimi i Serbisë, ndërkaq në shtetin fqinj njihet si agresion dhe periudhë e cenimit të sovranitetit territorial të këtij shteti.

Ndërkaq fjalët si ‘terror’, ‘agresion’, ‘gjenocid’, ‘pushtues’ etj… vazhdojnë të rëndojnë mbi tekstet shkollore që do duhej të përmbanin të dhëna shkencore dhe të faktuara.

Mësimdhënës dhe zyrtarë të fushës të arsimit në Kosovë pohojnë se nxënësit që mësojnë në tekstet shkollore të historisë në Kosovë dhe Serbi, shpesh ballafaqohen me informacione të mangëta, të pasakta, të ekzagjeruara apo me ngjyrime emocionale e nacionaliste.

“Me siguri ka mundësi të bëhet më shumë, por do të fillojmë të punojmë në tekstet e reja shkollore për kurrikulën e re. E dimë që tekstet e historisë janë më të ndishme në këtë aspekt. Mendoj se në këtë kohë është e vështirë t’i ikim emocioneve prandaj mendoj se teksti bazë prej ku nxënësit mësojnë duhet të jetë i shkruar sipas standardeve”, deklaroi zëvendës Ministrja e Arsimit në Kosovë, Anila Statovci-Demaj.

Në anën tjetër, Bojan Vuckoviq, mësimdhënës i Historisë, tani drejtor në një shkollë të mesme të Beogradit, mendon se ajo që përshkruhet në libra të historisë në Serbi nuk ka të bëjë me të dhëna shkencore por variante zyrtare të Serbisë.

“Ne nuk kemi histori shkencore që i referohet asaj kohe, prandaj është shumë e vështirë ta presim këtë në libra shkollore. Versionet e librave janë më shumë zyrtare sesa shkencore. Unë mendoj se është vetëm një mënyrë që provokon emocione tek nxënësit dhe ata janë numrat dhe është shumë e vështirë të thuhet se a janë korrektë”, tha Vuckoviq për BIRN.

Ndërsa nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thonë se po vazhdon të ketë pak veprime konkrete në vlerësimin apo rishikimin e asaj që përshkruhet në tekstet shkollore sa i përket historisë ndërajonale, përkatësisht vitet e 90-ta që i referohen luftës së fundit në Kosovë.

“Deri më tani as shteti i Kosovës e sidomos ai i Serbisë nuk kanë bërë mjaftueshëm që në mënyrë të duhur të trajtojnë periudhën e luftës në tekstet shkollore. Të dyja palët kanë qasje të njëanshme dhe nuk bazohen në faktet e dokumentuara nga gjykatat”, thonë nga FDH-ja

Përmbajtje nga libra të historisë në shkollat shqiptare në Kosovë | Foto Gazeta JNK

Megjithatë, 17 vite pas luftës dhe më shumë se një dekadë pas botimit të shumë librave me të cilët mësojnë nxënësit e Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë ka marrë vendim për rishikimin në tërësi të teksteve shkollore për shkollat fillore.

Zëvendës ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë (MASHT), Anila Statovci Demaj, tha për BIRN se rishikimi i teksteve ka nënkuptuar përmirësim sipërfaqësor të gabimeve evidente, derisa të fillojë puna me tekste të reja sipas kurrikulës së re shkollore.

“Ka qenë konsensus i përbashkët i të gjithëve që duhet t’i rishikojmë tekstet. Rishikimi ka nënkuptuar të shohim se ku janë problemet e ndryshme si diskriminimi qoftë gjinor, etnik apo të çfarëdo forme, pjesë të dukshme që vrajnë syrin në shikim të parë. Ka pasur edhe gabime faktuale, shkencore në disa libra të cilat i kemi përmirësuar”, tha Statovci-Demaj.

Por, shqetësime rreth përmbajtjes së teksteve shkollore në Kosovë dhe Serbi janë ngritur nga FDH-ja që ka pasur për qëllim avokimin në institucione rreth rishikimit të këtyre teksteve.

Sipas drejtorit të FDH-së në Kosovë, Bekim Blakaj, MASHT-i ka qenë përkrahëse e idesë, megjithëse nuk ka veprime konkrete në këtë fushë.

“Të dy shtetet nuk e trajtojnë në mënyrë të duhur luftën e Kosovës në librat shkollorë të historisë. Kjo mund të ndikojë që të rinjtë në të dy vendet të krijojnë një narracion të gabuar mbi luftën dhe kjo sigurisht se ndikon në rritjen e paragjykimeve ndaj njëri-tjetrit. Këtu duhet cekur se MASHT ka qenë shumë përkrahës në këtë projekt, gjë që nuk ka ndodhur në vendet tjera të ish-Jugosllavisë. Kjo tregon se ekziston vullneti i mirë nga ana e MASHT që të reformojë tekstet shkollore mbi këto tema”, tha Blakaj për BIRN.

Sipas Blakaj, në Kosovë mangësia qëndron tek përshkrimi në pika të shkurtra të ngjarjes dhe në pasaktësi në numra, ndërkaq në librat serbe, fshehja e etnisë së viktimave dhe aktgjykimeve për ish-udhëheqësit shtetërorë serbë të akuzuar për krime lufte.

Megjithatë, edhe brenda shtetit të Kosovës ka dallime në tekste duke qenë se plan-programi i Kosovës nuk aplikohet edhe për të gjithë qytetarët e pakicave, përkatësisht ata serbë.

Roli i mësimdhënësve në përmirësimin e situatës

Përmbajtja e gjuhës së urrejtjes dhe pasaktësia në tekstet shkollore është çështje sfiduese edhe për mësimëdhësit e lëndës së historisë specifikisht.

Mësimdhënësi i Historisë, Enver Sadiku nga Gjilani mendon se mësuesit duhet të tejkalojnë barrierën e plan-programit për të mos lejuar mësimin e informacioneve të gabuara apo të dëmshme për nxënësit.

“Mendoj se nëse krahasohen librat e historisë, varësisht se a janë shkruar nga historianë serbë apo shqiptarë, në ato libra ka ngjyrime emocionale, ideologjike e kombëtare. Mendoj se gjatë mësimdhënies duhet shmangur gjuha e urrejtjes dhe në shpjegimin e historisë duhet pasur një qasje profesionale dhe jo emocionale, ideologjike apo edhe nacionaliste në kuptimin negativ”, vlerëson Sadiku.

E kolegu i Enver Sadikut nga Shkolla e Mesme ‘13’ në Beograd, Bojan Vuckoviq thotë se nuk ka probleme në diskutimin e temave të ndjeshme me nxënës meqenëse as ata nuk i përmbahen tërësisht plan-programit.

“Unë kurrë nuk kam pasur probleme për të diskutuar me nxënësit e mijë për tema të ndjeshme dhe nuk kam dëgjuar që ndonjë koleg ka pasur ndonjëherë probleme. Ne ndihemi shumë të lirë që t’i mësojmë nxënësit tanë për historinë që nuk është vetëm versioni zyrtar”, tha Vuckoviq.

Ndërkaq Ministria e Arsimit për BIRN ka treguar për një plani konkret të dërgimit të disa mësimdhënësve të historisë për trajnim në Izrael, për të parë nga afër përvojat e përshkrimit të ‘Holokaustit’, në librat e historisë.

Mirëpo sipas zv. Minitres Statovci-Demaj, nuk ka plane konkrete për të punuar me mësimdhënësit specifikisht rreth trajtimit të historisë bashkëkohore në shkollat e Kosovës.

Libra të historisë në shkollat serbe | Foto: Gazeta JNK
Libra të historisë në shkollat serbe | Foto: Gazeta JNK

“Nuk di për një proces të organizuar nga ana e Ministrisë që të punohet me mësimdhënësit drejtpërsëdrejti në këtë lëmi, mendoj se në këtë kohë është e vështirë t’i ikim emocioneve prandaj mendoj se teksti bazë prej ku nxënësit mësojnë duhet të jetë i shkruar sipas standardeve. Kemi bërë copëza pune dhe mbetet që të gjitha informatat e mbledhura ti definojmë në kërkesa kur të bëjmë tekstet e reja shkollore”, deklaroi ajo.

Mësimi i drejtësisë tranzicionale përmes Edukatës Qytetare

Një nga kërkesat tjera të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë për Ministrinë e Arsimit ishte edhe përfshirja e drejtësisë tranzicionale si pjesë e lëndës së Edukatës Qytetare për shkollat e mesme.

Drejtësia tranzicionale përbëhet nga masa gjyqësore dhe jo-gjyqësore të zbatuara në mënyrë që të mënjanojnë trashëgiminë e abuzimeve të të drejtave të njeriut. Masa të tilla “përfshijnë ndjekjet penale, komisionet e së vërtetës, dëmshpërblime programet, dhe lloje të ndryshme të reformave institucionale

Këtë kërkesë në shkurt të këtij viti, Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami kishte premtuar që do ta realizonte me fillim të këtij viti shkollor.

“Ministria e Arsimit do të jetë shumë aktive në këtë projekt dhe në mezi po presim implemetimin e tij. Së bashku ne shpresojmë se do të fillojmë këtë projekt nga fillimi i vitit të ri shkollor”, kishte thënë Bajrami.

Deklaratat ishin bërë pas prezantimit të projektit hulumtues nëpër shkolla të mesme, që sipas FDH-së rezultoi që ekziston një boshllëk i madh në informatat që nxënësit e shkollave të mesme kanë rreth luftës së fundit, por një projekt i tillë ende nuk është implementuar nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

BIRN ka kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit të Serbisë, të cilët nuk i janë përgjigjur pyetjeve.