Fotoreporteri Ilaz Bylykbashi, Foto: KALLXO.com
Fotografitë më të vështira për fotoreporterin Ilaz Bylykbashi
“Fotografia që më ka shkatërruar ka qenë arkivoli i parë që e kam hapë në Suharekë të ushtarëve shqiptarë që u kthyen të vrarë. Ajo s’ka qenë vetëvrasje” – thotë Bylykbashi.
Fotoreporteri që dokumentoi ngjarjet e Kosovës të fund viteve të ’70-ta, të ’80-ta dhe atyre ’90-ta, në një rrëfim për emisionin “Kallxo Përnime”, shton se në këto arkivole shkruhej që të mos hapeshin por megjithatë ata kishin vendosur që t’i hapnin.
Këta ushtarë kishin shërbyer në ish-Jugosllavi e të cilët u kthyen të vrarë në Kosovë në vitin 1989-1990.
“Përmi arkivol shkruhej: Nuk guxon të hapet. Emrin e njërit s’mund ta harroj, Fatmir Tafaj. Ka qenë i vrarë me plumb që i kishte dalë në shpinë dhe ftyrën e kishte llom, pra ajo vetëvrasje s’ishte se edhe ftyra edhe plumbi, vetëvrasje është me një akt jo me dy apo tri katër gjuajtje” – rrëfen Bylykbashi.
“Ma morën aparatin dhe të gjitha më lanë vetëm në papuçe edhe dola n’Bllacë”
“Në Bllacë kam dalë masi m’i morën të gjitha edhe aparatin, më lanë vetëm në papuqe edhe dola, s’kisha mo çka me bo se familjen e pata qitë, në të njëjtin tren ka qenë Rexhep Qosja. Mua më kanë futur për dritareje në tren. Aty i kam dhënë dokumentet e identifikimit” – rrëfen Bylykbashi.
Ai ka thënë se kur ka migruar për Australi, doktoresha e cila e kishte vizituar i kishte thënë atij se do t’i duheshin 30 vjet për ta marrë vetën.
“Më ka marr ajo mjekja, e kam pas librin me veti ja kam dërgu me i tregu me kë ka punë. Ajo kishte pasur punë edhe me boshnjak pra kishte pasur përvojë dhe më tha të duhen 30 vjet për me ardh në veti. Me të u kuptojsha kroatisht” – vazhdon rrëfimi i Bylykbashit.
Më 10.04.2024 është shënuar 25-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 500 mijë shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërngulen në Shqipëri dhe Maqedoni.