Albin Kurti dhe Arbërie Nagavci. Foto: Arbërie Nagavci/Facebook

Nagavci ia prezanton Kurtit raportin mbi 600-faqësh pas rishikimit përmbajtësor të teksteve shkollore

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se për herë të parë në vend ka filluar rishikimi përmbajtësor e shumëdimensional i teksteve shkollore.

Ajo tha se vitin e kaluar kanë filluar rishikimin përmbajtësor të teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe matematikës për klasat 1 deri në 9, teksa rezultati i kësaj tha se tashmë është një raport mbi 600-faqësh.

Sipas saj, kjo përzgjedhje është bërë për të adresuar rezultatet e Testit PISA dhe performancën jo të mirë të nxënësve në gjuhë dhe matematikë.

“Kjo iniciativë e jona e përkrahur nga Bashkimi Evropian, më në fund po na dëshmon në mënyrë të paanshme se çfarë përmbajnë tekstet shkollore, cila është ndërlidhja e tyre me kurrikulë, çfarë është saktësia e përmbajtjes, cilat janë gabimet, çfarë e si duhet përmirësuar” – tha ministrja.

Nagavci shtoi se metodologjia dhe instrumentet janë zhvilluar nga ekspertët ndërkombëtarë e vendorë, me përvojë të madhe në fushën e teksteve shkollore dhe kurrikulës.

Ministrja theksoi se këto raporte do të ndahen me autorët e shtëpitë botuese për përmirësim të teksteve, por tha se padyshim se do të jenë dhe temë diskutimi në opinionin e gjerë.

“Të gjithë duhet të kuptojnë që tekstet shkollore nuk janë biznes, por përgjegjësi e shenjtë qe e kemi karshi nxënësve tanë. Si Ministri e Arsimit do të jemi të pa kompromis ndaj teksteve që nuk kanë cilësi e nuk do të ndalemi derisa të sigurohemi se kemi tekste cilësore” – tha Nagavci.

Ajo theksoi se sot më 21.03.2024 ia ka dorëzuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, raportin mbi 600-faqësh të rishikimit të teksteve.

“Është hera e parë që Qeveria jonë është duke ndërtuar politika të qëndrueshme të bazuara në evidencë” – tha ministrja.

E njëjta u shpreh se tekstet shkollore janë faktor i rëndësishëm në ngritjen e cilësisë në arsim dhe sipas saj shpesh janë burimet e vetme mësimore që përdorin mësimdhënësit dhe nxënësit.

“Për vite me radhë tekstet janë përcjellë me sfida dhe probleme të shumta, përfshirë aspektin përmbajtësor dhe atë teknik. Është folur shumë për tekste shkollore jo cilësore por askush asnjëherë nuk ka vlerësuar se cila është cilësia e vërtetë e tyre” – tha ajo.

Gjithashtu Nagavci theksoi se ligji për tekste shkollore është në pritje për t’u miratuar ne Kuvend dhe se ky ligj sipas saj e përcakton rishikimin e teksteve shkollore si proces te vazhdueshëm, që tha se vjen si reflektim i përditshëm nga mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit.

“Për këtë, në mbështetje nga BE jemi duke ngritur kapacitete të mësimdhënësve në të gjithë vendin për rishikim të teksteve shkollore. Nga java e ardhshme MASHTI së bashku me ekipin e projektit do të fillojë trajnimet e mësimdhënësve për rishikim të vazhdueshëm të teksteve shkollore” – tha e para e MASHT-it.