Llogo e KDI-së, Foto: Facebook

KDI Apelon për Konsensus Politik për Ratifikimin e Demarkacionit

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas dështimit të seancës së Kuvendit të Kosovës për të ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Pas dështimit të seancës së sotme për të shqyrtuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, edhe një herë u dëshmua mungesa e seriozitetit dhe përkushtimit të partive politike për të arritur konsensus politik që i shërben interesit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

Më tej thuhet se mungesa e këtij konsensusi politik tash e gati tri vite, jo vetëm që ka lënë qytetarët e Kosovës të izoluar dhe pa mundësi lëvizjeje të lirë, por njëkohësisht ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve të vendit.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se çështja e demarkacionit është shteruar si temë, dhe tanimë është koha e fundit për të ndërmarrë hapa konkret në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

“KDI apelon ndaj të gjitha partive politike parlamentare për arritjen e një konsensusi të përgjithshëm dhe zgjidhjen e kësaj nyje që po mbanë peng qytetarët e Republikës së Kosovës. Vota pro demarkacionit është votë pro lëvizjes së lirë dhe rrugëtimit të mëtutjeshëm të Kosovës drejt BE-së, sidomos tani kur sipas “Transparency International” vendi ynë ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe renditet më mirë sesa shumë vende të tjera që tashmë gëzojnë liberalizmin e vizave”, theksohet në njoftimin e KDI-së.

KDI u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të tregojnë vendosmëri dhe përkushtim më të madh për të mbyllur çështjen e shënjimit të kufirit me Malin e Zi.

KDI konsideron që Republika e Kosovës ka në dispozicion mekanizma ligjor për të ri-negociuar me Malin e Zi për ndonjë përmirësim eventual të marrëveshjes, nëse konsiderohet që veçse janë bërë gabime në këtë drejtim. “Prandaj, çdo vonesë e mëtutjeshme për ratifikimin e demarkacionit do të ndikoj në izolimin e qytetarëve, dhe njëkohësisht do të shpërfaqë paaftësinë e skenës politike kosovare për të marrë vendime të mëdha”, potencohet në njoftimin e KDI-së.