Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

KDI: Kuvendi miratoi 69% të projektligjeve gjatë këtij viti, mungesat e deputetëve mbeten sfidë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sot ka shpalosur vlerësimin mbi kualitetin e punës së Kuvendit të Kosovës përgjatë vitit 2022.

Hulumtuesi i KDI-së, Arbër Thaçi thotë se Kuvendi ka pasur performancë pozitive pasi në mbi 100 seanca të mbajtura, janë miratuar 111 projektligje apo 69% prej tyre që janë sjellë në shqyrtim.

“Ndërsa, 50 projektligje ende ndodhen në procedurë të shqyrtimit. Një ndër  faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë performancë është shumica e konsoliduar parlamentare, e cila ka mundësuar numrat për kalimin e projektligjeve. Në aspektin përmbajtjesor, pjesa më e madhe e projektligjeve të miratuara i përkasin sektorit të bujqësisë dhe atij drejtësisë”- shpjegoi Thaçi.

Në mesin e ngecjeve të punës së Kuvendit këtë vit, KDI thotë se kanë qenë edhe mospjesëmarrja e deputetëve nëpër neanca, të cilat sipas monitorimit, kanë qenë të shpeshta.

“Gjatë këtij viti janë evidentuar mbi 1,700 mungesa të deputetëve vetëm në seancat plenare dhe kjo ka bërë që seancat në disa raste të dështojnë në mungesë të kuorumit. Numri i lartë i mungesave vjen edhe si rezultat i bojkotimit të punimeve të Kuvendit nga ana e deputetëve të Listës Serbe”- tha Thaçi.

Bojkotimi i punës së Kuvendit nga komunitetet jo shumicë, siç shpjegon KDI, ka rezultuar me paralizim të disa iniciativave tejet të rëndësishme ligjore, për të cilat nevojiten votat e komuniteteve jo-shumicë duke shtuar se përpos mungesave të deputetëve, jo prezentë kanë qenë edhe anëtarët e kabinetit qeveritar.

Numër i dalluar të iniciativave ligjore sipas KDI-së kanë qenë miratimi i rregullores së Kuvendit, jetësimi i Byrosë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe projektligji për Financimin e Partive Politike.

Duke folur për organizimin e seancave, Thaçi tha se nuk kishte planifikim të mirëfilltë dhe si pasojë e kësaj ka pasur seanca të pa përfunduara dhe stërngarkim të seancave brenda një dite.

“Organizimi i punës së Kuvendit nuk u bë sipas një planifikimi të mirëfilltë e sistematik, gjë që rezultoi në stërngarkimin e seancave me numër të madh të projektligjeve, mos përfundimin e seancave dhe mbajtjen e disa seancave brenda një dite”- theksoi ai.

Aspekt tjetër pozitiv sipas Thaçit kanë qenë edhe administrimi i seancave nga kryeparlamentari, si dhe zbutja e gjuhës politike në raport me vitet paraprake.

“Kryetari i Kuvendit ka luajtur një rol balancues në mes kërkesave të pozitës dhe opozitës, duke amortizuar kështu përplasjet në mes tyre. Përmirësime ka pasur edhe sa i përket gjuhës dhe sjelljeve parlamentare të deputetëve. Sidoqoftë, Kuvendi ka vijuar me problemin e mos transparencës sa i përket votimeve, meqë votimi ka vazhduar të bëhet me ngritje të dorës, e jo përmes sistemit elektronik”- u shpreh ai.

Tek kontributi i opozitës, KDI thotë se ata kanë tentuar të kontribuojnë përmes propozimeve por që sipas tyre pushteti nuk i ka vlerësuar ato nisma.

Në fund KDI ka kërkuar nga legjislatura që të zbatohet Rregullorja e re e punës dhe më shumë përgjegjësi nga deputetët për të marrë pjesë në seanca dhe për t’u përfshirë në debate të mirëfillta parlamentare që i shërbejnë ligjeve më të mira.

Po ashtu, KDI ka kërkuar funksionalizimi i votimit elektronik për të rritur llogaridhënien parlamentare.

Sa i përket punës së komisioneve parlamentare, në bazë të monitorimit të KDI-së, komisionet më aktive kanë qenë ai për Ekonomi, për Buxhet dhe ai për Legjislacion.