Pushteti kritikohet për bllokimin e konstituimit të komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore
Pas një debati disaorësh, që u përcoll me akuza e kritika, si nga opozita por edhe pozita, Kuvendi i Kosovës me 69 vota pro themeloi në shtator të këtij viti komisionin hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe dyshimet për keqpërdorime dhe abuzime të mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Që nga votimi në Parlament, mbledhja për të konstituuar këtë komision është thirrur pesë herë.
Në të pesë herat përpjekjet kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Prezentë në mbledhje gjithnjë janë deputetët e opozitës por jo edhe ata të pushtetit.
Nga Lëvizja Vetëvendosje anëtarë të këtij komisioni janë Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta Isufi, Halil Thaçi dhe Sali Zyba.
Mungesa e deputetëve të LVV-së është kritikuar si nga opozita ashtu edhe nga organizata që merren me monitorimin e punës së Kuvendit.
Kryetari i këtij komisioni, Rashit Qalaj, nga PDK-ja, tha të martën se është shqetësuese që një parti që thirret në sundimin e ligjit bllokon këtë iniciativë të opozitës.
Qalaj deklaroi se mungesa e kolegëve të tij nga pozita i shton dyshimet se ata u frikësohen hetimeve.
Kurse anëtarët në këtë komision nga LVV-ja, në një përgjigje për KALLXO.com, thanë se nuk vijnë në komision për shkak të vendimit të opozitës për të mos votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
KDI: LVV të tregojë vullnet politik dhe të mos pengojë konstituimin e komisionit për rezervat
Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën parlamentare, vazhdimisht u ka bërë thirrje deputetëve të LVV-së duke kërkuar konsensus në lidhje me themelimin e komisionit hetimor për rezervat shtetërore.
Tringa Dreshaj, hulumtuese në KDI, vlerëson se partia në pushtet duhet të tregojë vullnet politik për të qeverisur me integritet dhe pa korrupsion, duke mos e penguar konstituimin e këtij komisioni.
“Vetëm duke mundësuar që ky komision të bëjë punën e vet do të hiqen të gjitha dyshimet për afera korruptive të nivelit të lartë dhe do të rritet besimi i publikut në qeverisje”- tha Dreshaj në një bisedë për KALLXO.com.
Hulumtuesja shpjegon se Kushtetuta e Kosovës parasheh që komisionet e veçanta, në këtë rast hetimore, mund të caktojnë komisionin me kërkesën e 1/3 së deputetëve, ndërsa detajet tjera të funksionimit të komisionit rregullohen me rregulloren e Kuvendit.
“Rregullorja në anën tjetër parasheh që procedurat e hetimeve parlamentare janë të përcaktuara me Ligjin përkatës për hetim parlamentar. Ligji për hetime parlamentare parasheh që mbledhja e parë komisionit thirret nga kryesuesi i komisionit, jo më vonë se katërmbëdhjetë (14) ditë nga data e marrjes së vendimit të Kuvendit për themelimin e komisionit”- tregon Dreshaj.
“Ligji për hetime parlamentare parasheh se nëse një anëtar i një grupi parlamentar nuk merr pjesë tri herë radhazi pa arsye atëherë komisioni nga Kuvendi kërkon që anëtari të zëvendësohet, jo detyrimisht nga grupi i njëjtë parlamentar. Në praktikë kemi një situatë ku deputetë i kanë dërguar kërkesë zyrës ligjore të Kuvendit për të interpretuar se si do të vazhdojë procesi i konstituimit të këtij komisioni”- thekson ajo.
Dreshaj thotë se konstituimi i komisionit hetimor parlamentar për rezervat është i rëndësishëm për të përmbushur vullnetin politik të deputetëve dhe kërkesës së tyre karshi Kuvendit.
“Gjithashtu është i rëndësishëm që ky rast të mos shndërrohet në një faktor që dëshmon mosqeverisje transparente e llogaridhënëse duke u kontribuar në heqjen e dilemave në lidhje me këtë rast ani pse ky rast është duke u hetuar edhe nga Prokuroria”- tha mes tjerash hulumtuesja e KDI-së.
Sipas Dreshajt, fuqia politike nuk duhet të shfrytëzohet që të bojkotohen proceset parlamentare që janë në të mirë të qeverisjes, teksa shton se gjithashtu mund të shndërrohet në një precedent të keq për zbardhjen e këtij rasti por dhe të rasteve të tjera.
Pesë tentativat e opozitës
Anëtarët e komisionit hetimor parlamentar për rezervat u mblodhën për të pestën herë me radhë për ta konstituuar, mirëpo në mungesë të kuorumit edhe kjo tentativë dështoi.
Një mbledhje tjetër është paraparë të mbahet të enjten (26 tetor) me fillim nga ora 9:30.
Kryetari i këtij komisioni, Rashit Qalaj, nga PDK-ja, tha të martën se është shqetësuese që një parti që thirret në sundimin e ligjit bllokon këtë iniciativë të opozitës.
“Ne sot thirrëm këtë takim të bëjmë edhe një përpjekje për konstituimin e komisionit. Siç po e shihni po mungojnë pa arsye deputetët e LVV-së ndërsa Kica Xhelili mungon për arsye familjare, na ka lajmëru. Është shqetësuese që një parti që thirret në sundimin e ligjit bllokon iniciativat siç është konstituimi i komisionit hetimor”- tha Qalaj.
Deputeti Qalaj deklaroi se mungesa e kolegëve të tij nga pozita i shton dyshimet se ata u frikësohen hetimeve.
“Mungesa e kolegëve i shton dyshimet edhe më shume që ata nuk vijnë në komision sepse u frikësohen hetimeve. Është pranu nga kryeministri që një sasi e grurit kur është importu, mungon, nuk e dimë por dyshimet janë që është keqpërdorur. Pastaj lidhja e kontratës për vajin është e dyshimtë dhe shumë çështje tjera do dalin në publik”- u shpreh Qalaj.
“Është shumë shqetësuese që partia në pushtet, që ka bërë çmos duke përdorë dhunë e gaz lotsjellës e duke sulmuar Policinë, është thirrë në sundim të ligjit, sot është hera e 5 e tentativës dhe të gjithë ata deputetë të LVV-së që janë betuar në Kuvend prapë nuk vijnë me qëllim që të mbulojnë të gjitha ato dyshime për keqpërdorime”- shtoi ai
Më tej, Qalaj shpjegoi se i kanë dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, se si të veprojnë me deputetët që nuk vijnë, por që, sipas tij, deri në atë mbledhje, nuk kanë marrë përgjigje.
Ndërkaq deputetja e LDK-së, Valentina Gexha- Bunjaku, tha se komisioni hetimor është mekanizëm i opozitës dhe është votuar nga deputetët që po mungojnë teksa shtoi se kërkesa e tyre është që të njëjtit të zëvendësohen edhe pse sipas saj ”me cilindo që zëvendësohen ata nuk vijnë sepse ata janë nxënës të mirë të Albin Kurtit”.
“Është formu komisioni hetimor për rezervat dhe komisioni për dhunën në familje. Në atë për dhunë në familje vijnë pozita se dojnë m’i hetu prokurorët kurse në këtë për rezervat nuk vijnë se nuk dojnë që qytetarët me zbulu keqpërdorimet me rezerva. Me keqpërdor në bukë është e paarsyshme”- ka thënë ajo.
“Unë propozoj që ky komision të thirret edhe të premten deri sa ata të lodhen e të vijnë. I bëj ftesë Albin Kurtit me i lëshu nxënësat lë të marrin pjesë në orë të mësimit”- u shpreh deputetja.
Kurse deputeti Pal Lekaj nga AAK-ja tha se deputetët e LVV-së po mundohen të pengojnë konstituimin e komisionit dhe sipas tij “nuk u intereson interesi publik por partiak dhe ka dominuar gjithnjë interesi partiak i LVV-së”.
“Na kanë mbytë duke na thënë ‘keni pasë korrupsion, keqpërdorime për njëzet vite’ dhe tash vetë po i mbrojnë keqpërdorimet e abuzimet. A kanë ndryshuar parimet apo mënyra se si në mënyrë perfekte të vidhet qytetari, shteti dhe të mashtrojnë qytetarët për atë që e kanë pasë kauzë, luftimin e dukurive negarive? Në çfarë deregje ka ardhë LVV-ja. Po i mshefin hajninë e keqpërdorimet”- është shprehur Lekaj.
Lekaj propozoi që në ditët në vijim të përgatitin një listë të personave që ftohen në komision për t’u intervistuar në lidhje me rezervat shtetërore.
KALLXO.com ka kontaktuar me anëtarë të këtij komisioni për të marrë një qëndrim në lidhje me mosprezencën e tyre në mbledhje.
Kërkesës i janë përgjigjur deputetët Shqipe Meta-Isufi dhe Driton Hyseni, por jo edhe deputetët Salih Zyba, Armend Muja, Halil Thaçi dhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari- Lila.
Deputetja Meta-Isufi ka ripërsëritur qëndrimin e grupit të saj parlamentar se nuk marrin pjesë në mbledhje të komisionit për shkak të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare nga opozita.
“E kemi thënë disa herë. Janë 360 milionë euro të bllokuara nga mosvotimi i marrveshjeve ndërkombëtare”- tha shkurt Meta-Isufi.
Arsyetimin e njëjtë e ka pasur edhe kolegu i saj, Driton Hyseni, i cili vazhdoi duke thënë se kritika e opozitës është e pakuptimtë.
“Si mund të fshehim diçka që veç është në proces hetimi nga organet ligjzbatuese?! Kritika e opozitës është e pakuptimtë! Andaj, para se të kritikojnë në mënyrë të pakuptimtë, duhet të ndryshojnë qasjen dhe të marrin pjesë në seanca e të votojnë marrëveshjet që janë në interes të vendit e të qytetarëve”- ka thënë Hyseni për KALLXO.com.
“Pra, lirisht ftoj partitë opozitare të vijnë dhe votojnë marrëveshjet në të mirë të qytetarëve dhe të hapin rrugë për funksionalizimin e trupave të Kuvendit, përfshirë komisionin hetimor për rezervat shtetërore”- shtoi ai.
Dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore
Në gusht të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ndërmori një aksion në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe lokacione të tjera dhe në pranga përfunduan 3 persona të dyshuar.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, u arrestuan nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Tre të dyshuarit lidhur me keqpërdorimet me rezervat shtetërore gjendeshin në paraburgim që nga 19 gushti i këtij viti kurse me vendimin e Gjykatës së Apelit të njëjtit janë liruar nga kjo masë.
Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas një publikimi të një audioincizimi të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.
Dy zyrtarët e MINT, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dëgjohen në disa audio-incizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë edhe pse për atë sasi shteti e kishte paguar.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.
Dosja e Prokurorisë tregon që ishte paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro – shuma këto të paguara në tërësi në formë të avancës.
Prokuroria pretendon se Ministria kishte pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak sesa sasia e kontraktuar. Ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.
Pas bastisjes, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë doli me një komunikatë për media në të cilën u tha se mirëpresin çdo hetim por shpreheshin të bindur se asnjë dëm nuk ka ndodhur me rezervat shtetërore.
MINT-i theksonte se pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore, e klasifikuar sipas Ligjit për rezervën shtetërore dhe Ligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.