Llogo e KDI-së, Foto: Facebook

KDI: Udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve tejkalon ligjin

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar lidhur me hartimin e Udhëzimit Administrativ që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, përmes iniciativës së 20 përqind të qytetarëve.

Sipas KDI-së, procesi i hartimit të tij është përcjellë me mungesë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes.

Ndërsa, kanë thënë se Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka vepruar në shpërputhje me standardet minimale për konsultime publike, duke e mbajtur të hapur vetëm katër ditë pune.

“Vlerësojmë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale. Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi” – thuhet në reagimin e tyre.

Sipas KDI-së, udhëzimi kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20% të votuesve të regjistruar.

“Udhëzimi nuk ka precizuar se cila listë e votuesve do të merret për bazë në inicimin e kërkesës dhe zhvillimin e procesit të votimit”- thuhet në reagim.

Tutje thuhet se KDI rithekson që udhëzimi administrativ, përveç se në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave. Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Po ashtu, KDI i konsideron dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar në platformën e konsultimeve publike Udhëzimin Administrativ i cili ua mundëson qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes peticionit.

Në Udhëzim thuhet se Ministria nga momenti i pranimit të kërkesës kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numrin e votuesve të regjistruar për komunën përkatëse, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20% përqind.

Ndërsa në nenin 5, thuhet se kjo iniciatië qytetare duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve, më së largu 30 ditë nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm.

Ky udhëzim administrativ pritet të finalizohet si projekt deri në fund të muajit.

Lehtësim apo komplikim, Qeveria synon ta zgjidhë ‘ngërçin zgjedhor’ në veri me peticion qytetar