KDI: Pavarësisht ndërrimit të qeverive, Kosova po ballafaqohet me probleme të përsëritura

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka shpalosur vlerësimet lidhur me situatën e luftimit të korrupsionit dhe qeverisjes demokratike në Kosovë, bazuar në vërejtjet e Raportit të BE-së për Kosovën, për vitin 2023.

Sipas KD-së, ngecjet e evidentuara në raport shpërfaqin një problematikë serioze të Kosovës – e cila pavarësisht ndërrimit të qeverisjeve, po ballafaqohet me probleme të përsëritura në raport me vlerat e qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe integritetit publik.

Eugen Cakolli ka thënë se stagnimi në raport me luftimin e korrupsionit buron drejtpërdrejt nga performanca dhe efikasiteti shumë i dobët i gjyqësorit.

Sipas tij, Qeveria ende nuk ka një vizion të qartë për luftimin e korrupsionit, me faktin që edhe pse kanë kaluar dy vite qeverisje, ende nuk ka një Strategji kombëtare Kundër Korrupsionit.

“Kultura e mosndëshkueshmërisë për vepra korruptive ka bërë që edhe zyrtarë të lartë publik – përfshirë ministra, zëvendësministra, deputetë, ambasadorë e udhëheqës të ndërmarrjeve publike – të dyshuar për korrupsion, të vijojnë të mbajnë pozitat e tyre, në kundërshtim me parimet themelore të integritetit të qeverisjes, që janë proklamuar vazhdimisht nga vet qeveria aktuale”- ka thënë ai.

Sa i përket luftimit të korrupsionit në shpenzimin e parasë publike, Diana Metushi-Krasniqi, nga KDI shtoi se, raporti i BE-së për Kosovën konfirmon për disa vite me radhë stagnime serioze në fushën e prokurimit publik duke theksuar se nuk ka progres në përmbushjen e rekomandimeve nga viti në vit.

Ndërsa, duke iu referuar rëndësisë së sinjalizimit në luftimin e korrupsionit, Albesa Humolli-Geci tha se në 2023 ka pasur avancim të kornizës ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Po ashtu, KDI ka përmendur edhe kritikat për punën joefikase të Kuvendit, që KDI i ka ngritur në vazhdimësi.

“Mungesat pajustifikuara të deputetëve në seancat parlamentare dhe mbledhjet e komisioneve mbeten problematika kryesore, që po minon efikasitetin e këtij institucioni. Në mënyrë që Kuvendi të arrijë të përmbushë funksionin e tij, duhet të zbatojë mekanizmat në fuqi dhe të krijojë mekanizma shtesë që sanksionojnë sjelljen e papërgjegjshme të deputetëve”- ka theksuar KDI.

Haxholli vijoi tutje edhe me vlerësimet për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilat tha se nuk është ofruar transparencë nga ana e Qeverisë.