Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

KDI: 82 nga 120 deputetë nuk shtruan pyetje parlamentare

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)ka shpalosur sot raportin analitik lidhur me zhvillimet gjatë sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, me titullin: “Ligjvënia mes shumë sfidave”.

Nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës, sipas KDI janë 82 deputetë që nuk kanë parashtruar fare pyetje parlamentare.

Hulumtuesja Violeta Haxholli, teksa i prezantoi të dhënat lidhur me funksionin mbikëqyrës të Kuvendit përmendi se në këtë sesion, deputetët i kanë parashtruar ndaj ekzekutivit rreth 171 pyetje parlamentare, mirëpo theksoi se 82 deputetë nuk parashtruan fare pyetje parlamentare.

“Deputetët e partisë në pushtet kanë parashtruar më shumë pyetje dhe kjo në vetvete paraqet problematikë pasi që tregon që deputetët e opozitës nuk kanë qenë shumë aktiv në parashtrimin e pyetjeve parlamentare ndaj ekzekutivit”- tha ajo.

Mungesa e kuorumit, numri jo shumë i kënaqshëm i aktivitetit të deputetëve dhe gjuha fyese në kuvend ishin disa prej temave që u përmenden gjatë shpalosjes së këtij raporti.

Gjatë interpretimit të të dhënave nga raporti puna e kuvendit gjatë seancave u vlerësua me shumë sfida, përmbajtje të lloj-llojshme dhe me një lloj dinamike të luhatshme.

Ndërkaq, Arbër Thaçi, hulumtues në këtë institut bëri të ditur se gjatë këtij sesioni, Kuvendi ka mbajtur 49 seanca prej të cilave 22 janë seanca plenare, 17 nga to janë vazhdime të seancave plenare, 2 seanca solemne dhe 8 seanca të karakterit të jashtëzakonshëm ku kryeministri apo bartës të ekzekutivit janë ftuar për debate apo trajtime të jashtëzakonshme.

Ai shtoi se Kuvendi ka miratuar 44 projektligje gjatë këtij sesioni, mirëpo tha se diku vetëm 13% e planit legjislativ për vitin 2023 është përmbushur përgjatë këtij sesioni.

Si një ndër problemet Thaçi theksoi mungesën e kuorumit  si pasojë e mungesës së deputetëve për të cilën tha se ka ndikuar negativisht në këtë sesion.

“Mesatarisht në bazë të gjetjeve tona në secilën seancë 22.5% e deputetëve kanë munguar…” – tha ai.

Hulumtuesja Havolli tha se ndonëse ka pasur mungesa në letër, sipas listave të regjistrimit të kuvendit pothuajse në çdo seancë kanë figuruar mbi 2/3 e deputetëve që janë regjistruar e që megjithatë pothuajse në çdo seancë ka munguar kuorumi për vendimmarrje.

“Kjo dëshmon se deputetët kanë qenë të kujdesshëm për tu regjistruar në këto lista për të marrë mëditjet, por kanë qenë të  papërgjegjshëm për të marrë pjesë aktivisht në seancat e kuvendi., gjë që  është në kundërshtim me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe interesin qytetar, që i obligon deputetët që të marrin pjesë rregullisht në seanca…” – tha ajo.

Tutje gjatë shpalosjes së këtij raporti u përmend se një prej dukurive që duhet të dënohet gjatë këtij sesioni ka qenë gjuha parlamentare, mos dënimi i të cilës u tha se ka shkaktuar një pranim krejt normal të saj në Kuvendin e Kosovës.

“Në vlerësimin tonë kësaj dukurie i ka kontribouar kryesisht edhe mos dënimi që do të duhet të vinte përfaqësuesit ekzekutiv të kuvendit dhe nga kryetari dhe kjo qasje e butë karshi  këtij problemi ka shkaktuar përkeqësimin e tij vazhdimisht”-përmendi Thaçi.

Raportin e plotë mund ta gjeni në këtë LINK.