Kandidatët që Përfituan nga Numri i Njëjtë me Partinë

Driton Selmanaj, Teuta Haxhiu dhe Ali Lajçi janë “deputetët fatlumë” të këtyre zgjedhjeve.

Këta tre kandidatë që garuan në lista të subjekteve të ndryshme e kishin numrin rendor në listën e subjektit apo koalicionit të tyre të njëjtë me numrin e subjektit të tyre në garë.

Që të tre janë zgjedhur deputetë me një numër të konsiderueshëm të votave.

Driton Selmanaj i aderuar në LDK pak javë para ditës së zgjedhjeve ka arritur të dalë deputeti i katërt më i votuar brenda listës së Koalicionit LDK-AKR- Alternativa me 35 mijë e 250 vota. Më shumë vota kanë vetëm Avdullah Hoti, Vjosa Osmani e Behgjet Pacolli.

Selmanaj i ka hyrë garës me numër 16 në listë, ndërsa të njëjtin numër e kishte edhe Koalicioni LAA.

Numër të njëjtë në listë me atë të subjektit ka pasur edhe kandidatja e koalicionit PAN, Teuta Haxhiu e AAK-së. Ajo ka marrë plot 15 mijë e 853 vota.

Numri i saj në listë ka qenë 12, aq sa ka qenë edhe numri i koalicionit PAN në fletëvotimet e 11 qershorit.

Haxhiu ka dallim të madh të votave në krahasim me zgjedhjet e 2014-ës, kur kishte pasur vetëm 4 mijë e 2 vota, që i bie se ka pasur rritje prej 11 mijë e 851 vota.

Ulësen e deputetit e ka siguruar edhe Ali Lajçi i Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila i hyri garës me numër 35, e i 35-ti në listë ishte i renditur edhe Lajçi.

Ai në këto zgjedhje ka  marrë 10 mijë e 441 vota. Në zgjedhjet e 2014-ës, Lajçi kishte garuar nën ombrellën e Aleancës për Ardhmërine e Kosovës dhe kishte marrë vetëm 1 mijë e 970 vota.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar para zgjedhjeve për “privilegjin” që e kanë këta kandidatë.

Edhe në zgjedhjet e 2014-ës, ka pasur deputetë të cilët kanë “pasur fatin” e këtyre treve.

Raif Qela, Njomza Emini e Bali Muharremaj edhe pse kishin qenë larg të vendosur në listat e partive të 2014-ës, kishin marrë votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.

Madje kishin lënë jashtë Kuvendit disa prej emrave të njohur brenda partive të tyre.

‘Fatlumët’ e Fletëvotimeve të 11 Qershorit