Ndarja e Z-Mobile dhe Telekomi i Kosovës Grafika: Krenar Ferizi

Çfarë ndodh me numrat e 'Z-Mobile' pas shkëputjes së kontratës nga Telekomi?

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka paralajmëruar shkëputjen me kompaninë e Blerim Devollit për “Z Mobile”, operator virtual i Telekomit.

Derisa lajmi për shkëputje të kontratës është lanësuar, mungojnë informatat për fatin e konsumatorëve që aktualisht kanë në përdorim numrat e “ZMobile”. Janë mbi 200 mijë numra të Z-Mobile aktualisht në përdorim.

Megjithë insistimin e KALLXO.com, Telekomi i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes me shkrim lidhur me atë se a është negociuar çështja e numrave. ‘Z Mobile’ po ashtu nuk i është përgjigjur pyetjeve për këtë çështje.

Është Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare që lëshon licenca për shfrytëzim të resurseve frekuencore dhe numrave të telefonisë mobile.

Ky autoritet që bën rregullimin e punës së operatorëve telefonikë në vend nuk ka mundur të tregoj se në shfrytëzim të kujt do të mbesin numrat telefonik që janë në shfrytëzim nga Z Mobile.

Në një përgjigje për KALLXO.com, rregullatori i telekomunikacionit – ARKEP thotë se ju takon Operatorëve të vendosin me marrëveshje për cështjen e konsumatorëve.

“ARKEP nuk ka imponuar dhe nuk do të imponoj detyrime për të pasur operator virtual për operatorët e rrjetit në Republikën e Kosovës, pra operatori Telekomi i Kosovës nuk është i obliguar që të ketë operator virtual, megjithatë është e drejtë e tyre të vendosin në lidhje me këtë”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it.

 

Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës, Grafika: Krenar Ferizi

Ata kanë thënë se nuk janë të informuar zyrtarisht ende në lidhje me procesin e shkëputjes së kontratës ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe Z mobile.

“Pasi ta marrim informatën zyrtare, nëse është e domosdoshme dhe kërkohet ndërhyrja nga ARKEP, ne do ta bëjmë një gjë të tillë në përputhje të plotë me ligjin e komunikimeve elektronike në Kosovë. Sigurisht që një kujdes të veçantë do ta kemi për qytetarët në mënyre që përdoruesit e telefonisë mobile të kenë vijimësi të shërbimit”, thuhet në përgjigje.

ARKEP thotë se është në fazat e fundit të ripërtëritjes së autorizimeve të operatorëve Telekomi i Kosovës dhe IPKO, për periudhën 15 vjeçare duke filluar nga data 31 korrik 2019, në të cilat autorizime individuale për përdorim të brezit frekuencor që ata kanë në dispozicion, nuk do të ketë obligime shtesë për ta përfshirë atë që nuk ka obligime për operatorët të kenë operator virtual.

Borxhi milionësh dhe negociatat për kontratën

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurodh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më paa Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.