Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përsëritet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit

Zgjedhja e Vjosa Omanit si presidente e vendit në raundin e parë do të përsëritet ku ajo dhe kundërkandidati Bejta nuk kanë marrë votat e mjaftueshme.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj nga LDK nuk kanë marrë pjesë në votim, ndërsa 78 deputetë kanë votuar për kandidatët për president.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani, e cila në këtë garë, për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.