Me Kamionin e Zjarrfikësve Godet Policët

Policia njofton për një rast të rëndë që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Gllobar të Drenasit.

Raportohet se njësiti i zjarrfikësve derisa ishte duke intervenuar në një rast të zjarrit, në rrugë u ka dalë një i dyshuar, i cili nën kërcënimin e armës i ka detyruar të ndalen dhe më pas ua ka marrë kamionin.

Pasi është njoftuar për rastin, Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku i dyshuari qëllimisht me kamion e ka goditur veturën e Policisë. Dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.

I dyshuari është arrestuar dhe gjatë arrestimit lëndime trupore ka pësuar edhe një zyrtar policor i cili ka asistuar në rast si dhe një zjarrfikës.

Gjatë kontrollit në kamion është gjetur dhe konfiskuar një armë e cila dyshohet se është lodër nga plastika.

Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari dërgohet në spitalin e Neuropsikiatrisë në Prishtinë dhe është nën përkujdesje të Policisë.

Këtë rast Policia po e trajton si grabitje – tentim vrasje.