Kadri Veseli tregon se pse po kërkon pezullim të taksës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka treguar se pse ai po kërkon pezullimin e taksës prej 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“E kam propozuar pezullimin të përkohshëm të taksës sepse i mban Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në afër nesh, nuk e lë shumë me u ofru me Serbinë. E kam propozuar se është në të mirë të vendit dhe në interes strategjik. Ku është SHBA-ja do të jetë edhe PDK-ja”, tha në mes tjerash Veseli sot në konferencën e përbashkët me drejtuesit e ekipit negociator.

Këtë kërkesë të Veselit nuk po e dëgjon partneri i tij i koalicionit, kryeministri Ramush Haradinaj. Ky i fundit vazhdon të përsërisë se taksa 100% nuk do të largohet deri në njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia.

Haradinaj po refuzon t’i dëgjoj edhe kërkesat e Ambasadës amerikane dhe administratës së Shtëpisë së Bardhë, të cilët gjithashtu kanë kërkuar pezullimin e përkohshëm të taksës.