Dubai, Foto: Pixabay

Dubai heq taksën 30% të alkoolit në një përpjekje për të nxitur turizmin

Dubai ka hequr taksën 30% të alkoolit në një përpjekje të dukshme për të nxitur turizmin.

Gjithashtu do të ndalojë tarifimin për licencat e alkoolit – diçka që qytetarët që duan të pinë në shtëpi duhet ta kenë, raporton BBC.

Dubai ka zbutur ligjet për disa kohë, duke lejuar shitjen e alkoolit gjatë ditës në muajin e Ramazanit dhe duke miratuar shpërndarjen në shtëpi gjatë pandemisë.

Kjo lëvizje e fundit mendohet të jetë një përpjekje për ta bërë vendin më tërheqës për të huajt, përballë konkurrencës nga fqinjët.

Dy kompanitë që shpërndajnë alkool në Dubai, Maritime and Mercantile International (MMI) dhe African & Eastern, thanë se do të reflektonin uljen e taksave për konsumatorët.

“Që kur filluam operimin tonë në Dubai mbi 100 vjet më parë, qasja ka mbetur dinamike, e ndjeshme dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë” – i tha AP zëdhënësi i MMI, Tyrone Reid.

“Këto rregullore të përditësuara së fundmi janë të rëndësishme për të vazhduar sigurimin e blerjes dhe konsumit të sigurt dhe të përgjegjshëm të pijeve alkoolike në Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.”

Nuk është e qartë nëse lëvizja, e cila hyri në fuqi të dielën, do të jetë e përhershme. Financial Times e përshkroi masën si një provë njëvjeçare, duke cituar “drejtuesit e industrisë të informuar për vendimin”.

Emigrantët tejkalojnë shtetasit me nëntë me një në Dubai, i njohur si kryeqyteti i Gjirit për ahengje, dhe banorët zakonisht shkojnë në Umm al-Quwain dhe emiratet e tjera për të blerë alkool me shumicë.

Dubai ka arritur historikisht të tërheqë më shumë turistë dhe punëtorë të huaj të pasur sesa fqinjët e tij, pjesërisht për shkak të tolerancës së tij ndaj një stili jetese më liberal.

Por tani ajo përballet me konkurrencë në rritje nga rivalët që zhvillojnë sektorët e tyre të mikpritjes dhe financave.

Banorët jomuslimanë në Dubai duhet të jenë të paktën 21 vjeç për të pirë, transportuar ose ruajtur alkool në shtëpi dhe të kenë një licencë alkooli – një kartë plastike të lëshuar nga policia.