Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit

Kadri Veseli pret që ‘qetësohen gjakrat’ dhe të miratohet një rezolutë për dialogun

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, doli nga mbledhja e sotme e gjatë e kryesisë së Kuvendit më optimist se anëtarët tjerë të kryesisë rreth mundësisë së gjetjes së një konsensusi për t’i dhënë fund bllokadës në Kuvend rreth dialogut me Serbinë.

Veseli u tha gazetarëve se pret që të ‘qetësohen gjakrat’ dhe më pas të votohet një rezolutë e cila do t’i vendoste çështje rreth këtij dialogu.

“Deri në momentin sa të qetësohen gjakrat pastaj do ta kemi një rezolutë”, tha Veseli.

Ai kritikoi partitë opozitare për fjalorin e përdorur ndaj koalicionit qeveritar ditëve të fundit duke thënë se opozita “po mundohet t’ia mveshë koalicionit disa qëndrime që janë anti-kombëtare”.

“Ne duhet të garojmë mes vete me koncepte politike mbi shtetin”, tha Veseli.

Ai siguroi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Sado që kryesia nuk ka vendosur për vazhdimin e seancave rreth dialogut të mbetura në gjysmë, ky organ, sipas Veseli, ka marrë vendim që sesioni i rregullt vjeshtor i Kuvendit të fillojë më 13 shtator me shqyrtimin e 40 pikave që janë në rend të ditës.