Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit

Kadri Veseli: Nuk kemi pretendime territoriale ndaj askujt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha të martën se deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë vizitës së tij në Kosovë kanë qenë provokuese.

Por Veseli la të kuptohet se veprimi i institucioneve për të mos penguar presidentin serb të hyjë në Kosovë ishte një kompromis që shteti duhej ta bënte për hir të rrugës evropiane të cilës i është drejtuar.

Ai tha se Kosova do të sillet mirë dhe në fqinjësi të mirë. Veseli tha se sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm.

“Ujmani do të jetë Kosovë, sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm. Ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj askujt. Ne do të sillemi mirë, në partneritet, në fqinjësi të mirë. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë më partnerët tanë SHBA, Britania e Madhe dhe veçanërisht Bashkimin Europian sepse ajo është shtëpia jonë”, tha Veseli sot pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me ambasadorin e Britanisë Ruari O’Conell.

Kryetari i Kuvendit nuk ka harruar të lavdërojë organet e rendit dhe institucionet e Kosovës për korrektësi në trajtimin çështjes “Vuçiq“.