Donika Kadaj-Bujupi | Foto: KALLXO.com

Kadaj-Bujupi: Demarkacioni Këtë Javë në Kuvend

“Këtë javë do të jetë për ratifikim, po vijnë informata zyrtare,” tha Kadaj-Bujupi për gazetarët pas mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane.

Ajo marrëveshjen e demarkacionit të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015 e cilësoi precedent për përcaktimin e vijës kufitare me Serbinë në të ardhmen.

Kadaj-Bujupi tha se ratifikimi do të kundërshtohet nga “Vetëvendosja”.

“Ne do të jemi aty me të gjitha format që ta ndalim. Do t’i përdorim të gjitha format,” paralajmëroi Kadaj-Bujupi.

Edhe deputetja e LDK-së Vjosa Osmani foli në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin.

E cilësoi një gjë të ngutshme ardhjen në Kuvend të ratifikimit me anë të një seance të jashtëzakonshme.

“Po në qoftë se mendohet të procedohet me seancë të jashtëzakonshme është me nguti. Përndryshe janë gati një vit me vonesë. Pa kurrfarë arsye përmbajtja është mbajtur larg deputetëve,” tha Osmani.

Vjosa Osmani | Foto: KALLXO.com
Vjosa Osmani | Foto: KALLXO.com

Deputetja e LDK-së e konsideroi përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi një çështje profesionale të kthyer pa pikë nevoje në çështje politike.

Ajo tha se sa herë nuk ka pasur mundësi ta analizojë ndonjë material të caktuar, nuk ka votuar atë kur ka ardhur në Kuvend.

Edhe deputeti Xhavit Haliti tha se nuk ka informata për marrëveshjen e demarkacionit.

“Informatat i kam zero. Kjo nuk është vetëm çështje e Kosovës dhe Malit të Zi,” tha Haliti.

Deputetët u pyetën edhe për Nismën e Shpejtim Bulliqit që të diskutohet për demarkacionin para se ai të ratifikohet.

Deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi në seancën e Kuvendit të zhvilluar të enjten propozoi një debat profesional-shkencor mes anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Demarkacionit dhe njohësve të kësaj çështjeje ku do të ballafaqoheshin argumentet.

Donika Kadaj-Bujupi tha se propozimi i deputetit Bulliqi u është ofruar për nënshkrim deputetëve të “Vetëvendosjes” dhe tregoi se këta deputetë e kanë nënshkruar propozimin që marrëveshja e demarkacionit të diskutohet.

“Deputetët e ‘Vetëvendosjes’ kanë ofru nënshkrimet,” tha Kadaj-Bujupi.

Edhe deputeti i PDK-së Xhavit Haliti nuk i kundërshtoi diskutimet për demarkacionin teksa shprehu bindjen se mund të ketë rishikim të marrëveshjes.

“Po more si s’ka mundësi (rishikimi). T’i nxjerrim argumentet: çka fiton Kosova dhe çka jo? Mbi këtë logjikë,” tha Haliti.

Por ky deputet tha se propozimi i deputetit Bulliqi është në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh diskutim në formë të tillë, por parasheh formim të komisionit hetimor me 40 nënshkrime. Nënshkrime, ose komisionet munda ta ftojnë kënd të duan. Proceduralisht [propozimi i Bulliqit] është në kundërshtim me rregulloren,” tha Haliti.

Në Komisionin për Integrime Evropiane më 3 qershor ishte ftuar të raportojë kreu i Komisionit shtetëror të Demarkacionit Murat Meha, por ai nuk kishte dalë para këtij komisioni ngase atë ditë makina e tij ishte sulmuar nga aktivistë të “Vetëvendosjes”.

Xhavit Haliti tha se Meha nuk është ftuar më nga komisioni.

“Jo ne e kemi ftuar, është penguar të vijë dhe më nuk e kemi ftuar,” tha Haliti.

Xhavit Haliti | Foto: KALLXO.com
Xhavit Haliti | Foto: KALLXO.com

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Integrime u raportua për vizitën e anëtarëve të tij në Kroaci, ndërsa u paralajmëruan vizitat në Bruksel e Berlin nga 26 deri 30 shtator.