Ish-Drejtori: Objekti i Biznesmenit Kishte Leje

Ish-drejtori i Inspektoratit  në Komunën e Suharekës Raif Fetiu që akuzohet për shpërdorim detyre paraqiti mbrojtjen para trupit gjykues.

Fetiu së bashku me ish-drejtorin e Urbanizmit në këtë komunë Kurtesh Fondaj dhe dy inspektorët Hafir Maliqi dhe Berat Kabashi, akuzohen se ia mundësuan biznesmenit Muharem Elshani ndërtimin e një objekti banesor në kundërshtim me planin urbanistik dhe në hapësirat e fushës së futbollit të klubit “Ballkani”.

Gjatë paraqitjes së mbrojtjes, Raif Fetiu foli pikërisht për objektin, lidhur me shkeljet rreth të cilit akuzohet ai dhe tre personat tjerë.

“Jam interesuar të di nëse objekti është i vendosur sipas kushteve të përcaktuara me leje përkatëse dhe kam marrë përgjigje se objekti është i vendosur konform kushteve të lejuara,” tha Fetiu në gjykatë.

Ai deklaroi se kur mori detyrën e drejtorit, objekti i biznesmenit Muharrem Elshani ishte në ndërtim e sipër.

Fetiu tha më tutje se nuk kishte si të merrte ndonjë masë për këtë objekt, pasi ai ishte duke u ndërtuar sipas lejes.

“Për herë të parë tek objekti personalisht kam shkuar gjatë muajit shkurt të vitit 2014 dhe kam hasur në objektin, në ndërtim në katër nivele, bodrumi, përdhesa dhe dy kate,” tha Fetiu.

Seanca e ardhshme u caktua për 19 dhjetor, ku pritet të jepet fjala përfundimtare.

Ish-drejtori i Urbanizimit të Komunës së Suharekës, Kurtesh Fondaj, akuzohet se më 22 korrik 2013 miratoi dhe aprovoi kushtet e ndërtimit, duke plotësuar dhe ndryshuar aktvendimin e pëlqimit urbanistik dhe kushtet e lokacionit dhe lëshoi leje të re ndërtimi në emër të Muharrem Elshanit në kundërshtim me planin urbanistik detal të qytetit.

Aktakuza e ngarkon Muharrem Elshanin se ka zhvendosur një pjesë të fushës së klubit të futbollit “Ballkani”, duke shfrytëzuar për nevoja të kompanisë së tij 16 ari nga kjo fushë.

Elshani akuzohet edhe se gjatë ndërtimit të objektit afaristo-banesor ka përvetësuar sipërfaqen prej 50 metrash katrorë, duke kaluar në bazën e themeltë të objektit në pronësi shoqërore, me ç’rast Komunës i shkakton dëme të konsiderueshme.

Ndërsa drejtori i Inspektoratit, Raif Fetiu, dhe inspektorët e ndërtimit Hafir Maliqaj dhe Berat Kabashi akuzohen se prej muajit korrik 2013 deri në muajin prill 2015 me qëllim ia mundësojnë Muharrem Elshanit zhvendosjen e një pjese të fushës së “Ballkanit” në sipërfaqe prej 16 ari dhe hyrjen në pronë shoqërore prej 50 metrash gjatë ndërtimit të një objekti afarist-banesor.

KALLXO.com shkroi edhe më herët për këtë gjykim.

http://kallxo.com/prokurori-kerkon-denimin-e-zyrtareve-komunale-te-suharekes/

http://kallxo.com/zyrtaret-e-akuzuar-te-suharekes-japin-fjalen-mbrojtese/