Dështuan në testim, 10 zyrtarë përgjegjës të prokurimit s’mund ta bartin më këtë pozitë

Të paktën 10 zyrtarë përgjegjës të prokurimit e 4 ushtrues detyre, zyrtarë përgjegjës të prokurimit e kanë humbur të drejtën të barin këtë post. Shkak për këtë u bë një test i avancimit i cili u mbajt në nëntor të vitit të kaluar.

84 zyrtarë të prokurimit publik, në institucione publike të vendit, nuk kanë arritur të kalojnë testin të mbajtur më 21 nëntor 2023. Testit, siç është konfirmuar nga Departamenti i Trajnimeve i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, i janë nënshtruar 101 zyrtarë të prokurimit ndërsa me sukses e kanë kaluar vetëm 17 prej tyre.

Sipas KRPP-së, disa nga këta zyrtarë nuk do të mund më ta ushtrojnë detyrën.

“Zyrtarë përgjegjës të prokurimit që humbin të drejtën të bartin këtë pozitë publike janë rreth 10 zyrtarë përgjegjës të prokurimit dhe 4 ushtrues detyre Zyrtarë Përgjegjës të Prokurimit” – thuhet në përgjigje.

“Këta zyrtarë e humbin të drejtën për me qenë Zyrtarë Përgjegjës të Prokurimit, që rrjedhimisht nuk mund të nënshkruajnë kontrata publike sipas LPP-së” – thuhet tutje në përgjigje.

Moskalueshemëria e pragut mbi 75 pikë ka bërë që zyrtarët e prokurimit të mos kenë sukses.

Certifikimi i zyrtarëve të prokurimit publik përfshinë dy nivele, certifikimin bazik dhe atë të avancuar.

“Certifikatat themelore profesionale të prokurimit janë të vlefshme për  tri (3) vite, derisa certifikatat e avancuara të prokurimit publik kanë validitet të përhershëm” – ka konfirmuar KRPP.

Por, çfarë ndodh në rastet kur zyrtarët nuk arrijnë të kalojnë testin brenda afatit të paraparë ligjor?

“Personi i cili mban një certifikatë themelore të prokurimit dhe i cili nuk arrin të marrë certifikatën e avancuar brenda kësaj periudhe tri vjeçare e humbë të drejtën për të shërbyer si Zyrtar përgjegjës i Prokurimit i Autoritetit Kontraktues (AK) si dhe të drejtën për nënshkrimin e kontratave publike në prokurim publik, përderisa të marrë certifikatën e avancuar, sipas paragrafit 5 të Nenit 25 të LPP” – ka shpjeguar Departamenti i Trajnimeve i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Nga 101 zyrtarë të prokurimit, 84 ‘ngelin’ në testin e avancimit