Mbledhja e Kuvendit Komunal të Suharekës, Foto: KALLXO.com
Kuvendi Komunal i Suharekës diskuton raportin e ekipit të Auditimit Social (VIDEO)
Kuvendi Komunal Suharekës ka diskutuar sot raportin e ekipit të Auditimit Social në Suharekë, i cili ishte formuar për të monitoruar projektin “Ndërtimi i shtegut të ecjes dhe ndërtimi i rrugës Mushtisht – Guri i Matozit dhe rrugës Topliqan – Gjinoc – RITENDER”.
Procesi i Auditimit Social në Suharekë dhe raporti 30-faqësh që u hartua nga ekipi i përbërë nga 14 persona, u prezantua para asamblistëve të Kuvendit Komunal të Suharekës. Më pas pati edhe diskutim mes asamblistëve për gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti.
Lidhur me gjetjen e ekipit të Auditimit Social për projekti që nuk garanton mbrojtje për këmbësorët që lëvizin në zonë, foli asamblisti nga radhët e LDK-së, Selman Kolgeci.
“Nëse nuk garanton një mbrojtje dhe është një rrezikshmëri për qytetarë, duhet me ja shtu me një rekomandim që komuna me një projekt tjetër me i vendosë pahitë skaj shëtitores”- tha Kolgeci.
Për këtë çështje është përgjigjur drejtori i Urbanizimit njëherësh menaxher i kësaj kontrate, Visar Kuçi, i cili e ka cilësuar kritikë me vend ose gjetje me vend.
“Fillimisht shëtitorja ka qenë në pjesën e kundërt të rrugës dhe me kërkesë të fshatit dhe ekipit nuk i ka pahitë mbrojtëse, dhe kemi planifikim dhe do të vendosen” – ka thënë ai.
Kuçi më tej para asamblistëve ka treguar se vërejtjet janë përmirësuar gjatë realizimit të projektit, ndërsa punën e ekipit të Auditimit Social e ka konsideruar si shumë të mirë.
“Gjatë punimeve këta i kanë dhënë vërejtjet na i kemi përmirësu gjatë realizimit të projektit, për mu ju kam thënë edhe këtyre në takim është shumë i mirë, shembull, na kemi marrë mjete edhe këtë vit prej përformancës, publikisht kam kërku me e monitoru edhe këtë vit se më ka pëlqy procedura e tyre për neve, edhe janë të kyçur fshati, banorët e atij lokaliteti” – tha drejtori Kuçi.
Raportin e plotë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni në këtë LINK.
Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në pesë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.
BIRN Kosova është angazhuar nga DEMOS për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në pesë projektet e përzgjedhura në Drenas, Suharekë, Kaçanik, Han të Elezit dhe Viti.
Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.
Auditimit Social përkrahet nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bashkëfinancuar nga BE-ja, Suedia dhe Norvegjia, dhe zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo.